Ish-kreu i PS ndërtues i pallatit që shkaktoi 4 viktima në Durrës, Rama e ngre në detyrë…

90

Një prej pallateve të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ku humbën jetën 4 persona është ndërtuar nga ish-deputeti socialist dhe ish-kreu i PS për Durrësin, Edison Konomi, i cili mban aktualisht postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, emërim ky I bërë nga vetë kryeministri Edi Rama.

Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi ka denoncuar se ish-kreu i PS Durrës, jo vetëm që i ka shpëtuar ligjit, por është ngritur në detyrë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Malltezi shprehet se Edison Konomi ndërtoi pallat që iu shemb nga tërmeti i Nëntorit dhe si pasojë humbën jetën katër persona. Ai shton se në vend që të përballet me drejtësinë, Konomi është emëruar drejtor agjencie mjedisi dhe miraton leje mjedisore për ndërtime edhe brenda zonave të mbrojtura.

“Ish-kreu i PS Durrës, ish-doganier, Konomi ndërton pallat që i shembet dhe vdesin 4 vetë, në vend që të përballet me drejtësinë e emërojnë drejtor agjencie mjedisi dhe miraton leje mjedisore për ndërtime edhe brenda zonave të mbrojtura. #Rilindje”, shkruan Malltezi.