Iran, rrëzohet avioni ukrainas, 176 të vdekur

Një aeroplan ukrainas me 176 njerëz në bord, u rrëzua të mërkurën afër aeroportit Imam Khomeini në Teheran, njoftuan televizioni shtetëror iranian dhe udhëheqësit ukrainas.

Aeroplani Boeing 737, pronë e kompanisë Ukraine International Airlines, që ishte nisur për në Kiev, u rrëzua afër aeroportit dhe u përfshi nga flakët. Ambasada ukrainase në Iran, tha se në bazë të hetimeve paraprake, aeroplani kishe probleme teknike dhe rrëzimi i tij nuk ishte pasojë e ndonjë “sulmi terrorist”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se askush nuk ka mbijetuar.
“Ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit dhe miqtë e udhëtarëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit”, tha presidenti Zelenskiy në një deklaratë duke shtuar se Ukraina po punon për të marrë vesh rrethanat e rrëzimit të aeroplanit.

Të dhënat e fluturimit tregojnë se aeroplani u ngrit nga aeroporti të mërkurën në mëngjes dhe pothuajse menjëherë e ndali dërgimin e të dhënave, sipas faqes së internetit FlightRadar24.

Televizioni iranian tha se rrëzimi ishte pasojë e problemeve teknike por pa hollësi të tjera. Sipas televizionit shtetëror, një nga dy kutitë e zeza tashmë është gjetur.

Media iraniane citoi një zyrtar të aviacionit të ketë thënë se piloti nuk ishte dërguar ndonjë shenjë emergjence.

Kryeministri ukrainas dhe televizioni shtetëror iranian thanë se 167 udhëtarë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit ndodheshin në bord. Televizioni iranian tha se 32 nga udhëtarët ishin të huaj.

Rrëzimi ndodhi disa orë pasi Irani ndërmori një sulm me raketa balistike që kishin në shënjestër dy baza në Irak ku janë stacionuar trupa nga Shtetet e Bashkuara, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit të Rojave Revolucionare, Kasem Soleimani.