I ulet dënimi një tjetër të dënuari për kokainën e Xibrakës

74

Kolumbiani i arrestuar në nëntor 2014, në laboratorin e Xibrakës ku përpunohej kokainë, ka përfituar së fundmi një ulje dënimi prej 90 ditësh për shkak të ‘sjelljes së mirë’.

Cesar Avila, për të njëjtat arsye, ai ka fituar një vit më parë edhe 50 ditë të tjera ulje dënimi, duke siguruar në këtë mënyrë një qëndrim më të pakët në burgjet shqiptare.

Në 15 janar 2020, Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Avilës, duke i ulur 90 ditë nga dënimi i tij. Avila është dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata për Krime të Rënda, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kishte krijuar një laborator përpunimi në Xibrakë të Elbasanit.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Avila dhe bashkëkombasi i tij, Valter Moreno, kishin mbërritur në Shqipëri në 5 nëntor 2014, për të ndihmuar grupin e drejtuar nga Ilir Hyseni dhe Genci Xhixho, që të kryenin ekstraktimin e kokainës nga lëndë të tjera.

Së bashku me kolumbianët Avila dhe Moreno, gjatë operacionit u arrestuan edhe ai që konsiderohej si një ndër drejtuesit e grupit, Ilir Hyseni, si edhe Saimir Batku, Gentjan Gjonaj, Kelmend Dalipi, Ermal Hoxha dhe Arjan Dalipi. Personazhi kryesor i këtij grupi, Genci Xhixha, nuk u arrit të arrestohej.

Opozita e djathtë akuzoi në atë kohë se, pas këtij grupi, fshiheshin persona që kishin lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama. Megjithatë, hetimet e prokurorit të çështjes, Olsian Çela, sot Kryeprokuror, nuk arritën të provonin këto lidhje.