Guardiola paralajmëron Cityn: Ende s’ka marrë fund përballja me Manchester United

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka insistuar se ende nuk dihet se kush do të jetë finalist i Carabao Cup mes skuadrës së tij dhe Manchester Unitedit, përkundër që ai fitoi me rezultat 3:1 në gjysmëfinalen e parë të martën në Old Trafford.

Manchester City e dominoi pjesën e parë të gjysmëfinales së parë të Carabao Cup në Old Trafford, ku Bernardo Silva dhe Riyad Mahrez e kaluan skuadrën e Pep Guardiolës në epërsi, para se rezultatin ta thellonte një autogol e Andreas Pereiras.

Marcus Rashfordi arriti ta zvogëlojë epërsinë e Cityt në pjesën e dytë të ndeshjes me një gol për Manchester Unitedin, që tani do ta vizitojë Etihadin më 29 janar me shpresën për ta përmbysur rezultatin 3:1.

Manchester Unitedi kishte arritur ta përmbyste rezultatin në mënyrë mbresëlënëse kundër Paris Saint-Germainit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar. Për këtë arsye, Guardiola nuk është i gatshëm ta konsiderojë veten finalist ende.

“Është rezultat i mirë. Nuk ka marrë fund ende asgjë sepse kemi të bëjmë me Manchester Unitedin. Ne e kemi parë shumë herë këtë gjë… shembulli më i mirë është kundër Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Guardiola.

“Manchester Unitedi e ka aftësinë të shënojë gola. Shpresoj që, me tifozët tanë, ne do të mund ta bëjmë një lojë të mirë dhe ta arrijmë finalen sërish”.

Djajtë e kuq ishin duke pësuar disfatë me rezultat 3:0 kur përfundoi pjesa e parë e ndeshjes të së martës. Kjo ishte hera e parë që ata i pësuan tri gola në shtëpi gjatë pjesës së parë që nga maji i vitit 1997, kundër Middesbrough.