Gjykata pushon çështjen, Eduart Halimi: Ishte sajesë, prokuroria bëri gjueti shtrigash

Eduard Halimi në cilësinë e avokatit të Partisë Demokratike, e ka cilësuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës për pushimin e çështjes për falsifikim ndaj tre zyrtarëve të PD-së, si vendimin e duhur të një drejtësie të duhur.

Halimi tha ndër të tjera se të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria ishin të mbështetura mbi spekulimet, ndaj edhe u rrëzuan. Mes të tjerash Halimi tha se tashmë ‘gjuetia e shtrigave’ u rrëzua.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte një vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërciprisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale.

Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërciprisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për tu përshendetur.

Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, u shpreh Halimi.