Frika nga tërmeti rikthehet sërish në Bubq

Paniku dhe frika nga tërmeti është rikthyer përsëri për banorët e Durrësit, Tiranës dhe zonat përreth pasi një tërmet me magnitudë 4.9 rihter është ndjerë në orët e mbrëmjes së djeshme.

Kamera e ABC News ka qenë paraditen e sotme në epiqendrën e tërmetit të mbrëmshëm, në Bubq.

Gazetari Maksi Rama ka qenë në familjen Ajazaj në Bubq, ku prej tërmetit të 26 nëntorit, po qëndrojnë në çadra duke sfiduar kapriçot e motit, mes të ftohtit e shiut.

“Që prej datës 26 nëntor kemi jetuar jashtë, fillimisht në hangar mbi dëngjet e barit, pastaj në makinë, më pas na prunë çadër dhe që atëherë ne jetojmë në çadër familjarisht. Jetojmë me pensionin e invaliditetit tim. Me pensionin duhet të siguroj bukën e familjes, të paguaj drita, ujë, të blej ilaçet se kam shumë sëmundje në trup“.

Kryefamiljari thotë për abcnews.al se ka bërë aplikimin ashtu siç i kanë rekomanduar, por ende nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, dhe bonusi i qirasë nuk i është dhënë.

“Jetesa jonë është e vështirë, është bërë e padurueshme. Nuk kemi ku të ankohemi, nuk kemi ku ti drejtohemi. A jetojnë njerëzit pas kaq vitesh shtet shqiptarët me këto kushte e vështirësi? Ne e dimë që na zuri halli nga tërmeti por jemi për një copë bukë se nuk na del. As nuk jetohet, as nuk flihet, as hahet, jemi në hall që prej datës 26 nëntor.

Banesën tonë erdhën e panë ekspertët po askush nuk dha një vendim nëse është e pabanueshme apo e banueshme. Tani na thonë që duhet të bëjmë prapë dokumentet, çfarë dokumentesh të bëj më unë, çfarë kërkon nga unë më shumë, mua mezi më del të blej bukë. Nuk kërkoj asgjë, as ushqime asgjë thjesht të fus kokën diku se jemi të mbaruar”, thotë i zoti i shtëpisë.

Shumë familje në fshatin Bubq jetojnë ende në çadra të cilët kanë të njëjtin problem pasi banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme. Si për ironi të fatit edhe tërmeti mbrëmjen e djeshme ka ngjallur frikën dhe pasigurinë jo vetëm në Bubq por edhe në Durrës, Tiranë./abcnews.al