Franca në kaos, Macron nuk heq dorë nga reforma e pensioneve

Transporti është sërish në kaos në të gjithë Francën dhe këtë të enjte, për shkak të protestave dhe grevës kundër planeve të qeverisë Macron për reformat në pensione.

Greva e cila shënoi një record të ri për sa i përket kohëzgjatjes ka hyrë në ditën e 36 rradhazi, duke e pagëzuar si më të gjatën në historinë e vendit. Dita e grevës së përgjithshme në të gjithë vendin u vendos vetëm dy ditë pas nisjes së negociatave mes qeverisë dhe sindikatave.

Kompania shtetërore e hekurudhave konfirmoi se trafiku në këtë sector do të jetë i bllokuar ndërsa mediat raportojnë për një numër të madh njerëzish që presin në stacione.
Metrotë do të qëndrojnë të hapura por shërbimi do të jetë i reduktuar duke i dhënë prioritet vetëm orës kur ka më shumë lëvizje.

Autoritetet franceze konfirmuan se më shumë se gjysma e trenave me shpejtësi të lartë dhe vetëm një e pesta e shërbimeve do të jetë në funksion.

Fluturimet dhe transporti detar gjithashu do të ketë shtyrje dhe anulime në një kohë që unionet të cilat përfaqësojnë kontrollorët e trafikut ajror dhe punëtorët e portit i janë bashkuar grevës. Ndërkaq janë të shumta unionet që kanë kërkuar bllokimin e punës dhe në rafineri.

Protesta më e madhe pritet të jetë ajo e Parisit, pasditen e të enjtes, ndërsa manifestime do tëketë dhe në qytete të tjera të vendit. Sindikatat kanë paralajmëruar një protestë tjetër për në 11 janar.

Pika më e kundërshtuar në reformën e propozuar nga presidenti Macron për pensionet, është përfshirja e 42 planeve të ndryshme në një të vetëm, universal.

Një pikë tjetër është ajo që cakton pensionin në bazë të rrogës gjatë gjithë karrierës, dhe jo sipas asaj të pesë viteve të fundit. Një detaj që sipas sindikatave do të ndikojë në uljen e pensioneve.

Sondazhet më të fundit në vend tregojnë se mbështetja ndaj kësaj proteste që ka hyrë në muajin e dytë të saj, ka rënë.

Vetëm 44% e francezëve e mbështesin, ndërsa 75 për qind e tyre mendojnë se presidenti Makron nuk do të tërhiqet nga pozicioni i tij. Kreu i shtetit francez u shpreh se braktisja e reformës do ishte një tradhti për fëmijët, dhe brezat e ardhshëm të cilët do të duhej të paguanin çmimin e dorëzimit të qeverisë.