Dolën me kazma dhe lopata për të groposur trupin e Jan Prengës: Kamerat e sigurisë kapin pamje tronditëse në Shijak

Vijojnë hetimet lidhur me gjetjen e trupit të 49-vjeçarit Jak (Jani) Prenga, i marrë peng 12 ditë më parë në qendër të Kamzës. Deri më tani, për pengmarrjen dhe vrasjen e tij Policia e Tiranës ka arrestuar 5 persona, i fundit i identifikuar si Festim Bexhdili 30 vjeç, banues në Kavajë.

Për këtë ngjarje të rëndë detaje të reja janë zbuluar ku, Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë, si të resortit të Hajrajve, po ashtu edhe të një biznesi përballë, ku është filmuar një fugon që qëndron për disa orë.

Burime për abcnews.al raportojnë se personat e arrestuar, kanë dalë nga resorti, me vegla pune, që dyshohet se kanë dalë për të bërë varrosjen e trupit të Jan Prengës.
Të përfshirë në këtë ngjarje janë persona me rrezikshmëri të lartë kriminale, që janë të përfshirë në trafikun e drogave të forta.

Gjithashtu burime për abcnews.al, kanë bërë me dije se, rrëmbimi i Prengës, është bërë për shkak se i vëllai që ndodhet në Angli, ka marrë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, dhe nuk e ka dorëzuar në destinacion. Ndërkohë përveç 5 personave të arrestuar janë shpallur në kërkim policor edhe disa presona të tjerë.

Prokuroria do të lexojë ditën e nesërme në Gjykatë, kërkesën për caktim të masës së sigurisë, ku do kërkojë “arrest në burg” për 5 të arrestuarit. ABC News ka mësuar se janë shpallur në kërkim të dyshuarit si urdhëruesit e pengmarrës së Jan Prengës:

M.B, G.D K.G këta të tre janë nga Shkodra, dhe D.R nga Vlora. Vëllai i viktimës Astrit Penga, është përgjuar me urdhër të gjykatës penale të Tiranës, dhe bazë të përgjimeve, rezulton se ai ka komunikuar me familjarët, dhe u ka thënë se Jani është mirë, dhe droga është dorëzuar në destinacion, dhe po ashtu edhe të tjerët do të bëjnë dorëzimin e lëndës narkotike.

Gjithashtu pamjet kanë fiksur Jan Prengen duke e nxjerrë të zhveshur nga makina.
Astrit Prenga, vëllai i Janit, ka kërkuar që familjarët të mos bashkëpunojnë me Policinë.
Ngjarja u zbardh nga Policia e Shtetit dy ditë më parë, ku u dhanë detaje për operacionin që u zhvillua në Shijak.

49-vjeçari i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut ka ndërruar jetë rrugës për në resort, aty ku do mbahej peng.

Rrëmbimi i Prengës ka ndodhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me pengmarrësit, si pasojë e prishjes së disa pazareve të drogës në Britaninë e Madhe, të cilëve do t’ju jepte 60 kilogramë kokainë. Policia ka ndaluar të dyshuarit kryesorë për ngjarjen.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit Elton, Leonard dhe babain e tyre, Bajram Hajri, respektivisht 32, 35 dhe 64 vjeç dhe 36-vjeçarin Olsi Turja, të gjithë banues në Shijak.
Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e “rrëmbimit të personit”, “fshehja e kufomës”, “moskallëzim krimi” dhe “pengimi i zbardhjes të së vërtetës. Në to shtohet edhe “armëmbajtja pa leje .

Pas rrëmbimit të 49-vjeçarit, pengmarrësit janë nisur menjëherë drejt resortit të Altin Hajrit për të mbajtur aty viktimën. Të ndaluarve u janë sekuestruar armë zjarri, municione luftarake, aparate celularë, automjete dhe një shumë parash në euro.