Berisha dënon sulmin e Iranit me raketa të bazave ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të tyre

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dënuar sulmin me raketa që Irani ka bërë ndaj bazave të SHBA-së në Irak. Me një shënim në Facebook, ish-kryeministri kërkon ndëshkim shembullor ndaj Iranit dhe urdhëruesve të sulmit.

Reagimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha

Një sulm terrorist i Ajetullahëve kundër bazave ushtarake të SHBA në Irak!

Të dashur miq, me urdhër të Ajetullaheve terroristë, forcat ushtarake të Iranit ndërmorën mbrëmë një sulm me raketa kundër bazave ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të tyre që qëndrojnë në Irak me ftesë të qeverisë irakenë për të çliruar këtë vend nga ISIS.

Përveç këtyre kryeterroristi Khamenei, ka kërcënuar sot edhe Shqipërinë për mbështetjen e merituar që vendi ynë i ka dhënë dhe i jep rezistencës së pamposhtur iraniane.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet terroriste kundër bazave ushtarake amerikane dhe aleatëve të tyre, që me sukses çliruan Irakun nga pushtuesit barbar të al Bagdatit si dhe kërcënimet e kreut të diktaturës teokratike ndaj Shqipërisë dhe i bëj thirrje NATO-s dhe qeverisë së SHBA të ndëshkojnë në mënyrë ekzemplare për këto sulme dhe kërcënime terroriste regjimin e Ajetullaheve të Teheranit.