Basha: Reforma zgjedhore duhet të miratohet një orë e më parë për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira

94

Lideri i Opozuitës së Bashkuar, Lulzim Basha deklaroi pas takimit me drejtuesit e partive opozitare se reforma zgjedhore duhet të miratohet një orë e më parë për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha tha se opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen përpara me reformën zgjedhore. Basha theksoi se ky mekanizëm do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Miratimi me konsensus jashtë Parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore i një drafti të dakordësuar që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe më pas miratimi në Parlament, pa asnjë ndryshim për draftin e dakordësuar.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza.

Nuk duhet të humbasim asnjë minutë kohë nga miratimi i Reformës Zgjedhore që është hapi i parë për zhvillimin në të njëjtën ditë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato lokale, që do të çojnë në zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike në vend”, tha Basha.Ai i drejtoi një apel mazhorancës socialiste që të mos humbasë më kohë për të plotësuar pikat e renditura në rezolutën e Bundestagut, ndërsa shprehu një falënderim për mbështetjen e përfaqësuesve të SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për të çuar përpara reformën zgjedhore.

Pjesë nga deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha

Prej muajit tetor, opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm gjithpërfshirës dhe transparent për të përfunduar reformën zgjedhore, që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Prej muajit shtator – ky është tashmë dhe një kusht i patejkalueshëm i parlamentit gjerman, i Bundestagut – kanë kaluar katër muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër.

Sot Opozita e Bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të Reformës Zgjedhore dhe mandaton zotin Oerd Bylykbashi dhe zotin Petrit Vasili për të dakortësuar mekanizmin me ecjen përpara me Reformën Zgjedhore dhe miratimin e saj, duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në tetor.

E para, krijimin e një mekanizmi gjithpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e forcave politike, mundësinë dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror, qytetar dhe të grupeve të Interesit.

Së dyti, miratimin me konsensus, jashtë parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore të çdo propozimi për Reformën Zgjedhore.

Së treti, kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus, pa asnjë ndryshim, në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm, kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmenda për të dakortësuar me palën tjetër në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë për të përfunduar një orë e më parë Reformën Zgjedhore dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si rruga e vetme për daljen nga kriza politike.

A besoni ju se jo Reformë Zgjedhore do të na çojë ne drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Basha: Partia Demokratike, Opozita e Bashkuar dhe jam i bindur, shumica dërrmuese e shqiptarëve, duan dhe meritojnë një fund sa më të shpejtë të kësaj krize politike që mund të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore të mbajtura në një ditë.

Do të fokusoheni vetëm tek rekomandimet e ODIHR? Çështja e sistemit do të preket apo jo?

Basha: PD dhe aleatët kanë folur dhe janë të qartë në qëndrimet tona. Në emër të Opozitës së Bashkuar dua të rikonfirmoj atë që kam thënë gjithmonë: jemi dhe mbetemi të hapur për të diskutuar në mënyrë gjithpërfshirëse dhe transparente me të gjithë qytetarët shqiptarë, çfarëdo sistemi ata dëshirojnë të aplikojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por praktika e shtatë viteve të fundit ka treguar qartë se problemi kryesor i zgjedhjeve shqiptare ka qënë shitblerja e votës, përdorimi i parave të pista, bashkëpunimi me krimin dhe mosndëshkimi i krimeve elektorale.

Ndaj përgjegjësia jonë para shqiptarëve ëhstë të mos hedhim hi syve se me një palë këpucë të tjera do të shkojmë në një drejtim tjetër, por së bashku me këto ndryshime esenciale dhe vullnetin politik për t’i zbatuar, t’u japim shqiptarëve mundësinë të shprehen për cilindo sistem zgjedhor që ata dëshirojnë.