Basha: Cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garanton ndarjen e politikës nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi debatet e ditëve të fundit për çështjen e sistemit zgjedhor.

“Cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garanton ndarjen e politikës nga krimi”, tha Basha.

Sipas tij, “alibia se fajin e ka sistemi, mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës që të gjithë jemi njësoj”.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar kam qenë dhe mbetem i hapur për të diskutuar, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, bashkë me qytetarët shqiptarë, sistemin zgjedhor që duhet të aplikohet në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare.

Nisur nga praktika e keqe e 7 viteve të fundit, unë besoj se cilido sistem zgjedhor do të dështonte të rriste cilësinë e përfaqësimit dhe llogaridhënies nëse nuk sigurojmë dot shkëputjen e politikës nga krimi, blerjen e votave me paratë e pista, dhe ndëshkimin nga drejtësia e pavarur të krimeve elektorale.

Pa garantuar këto standarde minimale, fshehja pas alibisë që “fajin e ka sistemi”, është thjesht një shtojcë në propogandën e Ramës, që ne jemi të gjithe njësoj dhe që faji është gjithmonë diku tjetër, kur në fakt është ai që kandidoi persona me rekorde kriminale dhe u kap në përgjime duke blerë votat me krimin,” tha Basha.

Sipas Bashës, “agjenda e Edi Ramës është pushteti personal”, por opozitarët janë “të gatshëm” që t’i japin “këtë vit, një orë e më parë, zgjidhje krizës politike”.