Avioni mbushet me tym, pasagjerët shpërthejnë në lot nga frika

Një momente paniku dhe tmerrit ka pushtuar 169 pasagjerë në një avion që bënte linjën e fluturimit nga Rumania me destinacion Britaninë e Madhe pasi mjeti fluturues është mbushur me tym. Pasagjerët kanë shpërthyer në lot të tmerruar.

Sapo aeroplani u ngrit në fluturim nga aeroporti i Bukureshtit, kabina e tij filloi të mbushej me tym ndërsa kjo situatë detyroi pilotin që të kthehej sërish në aeroport nga ku ishte nisur.

Në momentin kur është shënuar incidenti, aeroplani ishte në një lartësi prej 5 mijë metra por sapo piloti mësoi se çfarë po ndodhte në zonën e pasagjerëve, dha menjëherë alarmin në kullën e kontrollit të aeroportit, duke kërkuar leje për t’u ulur përsëri në pistë.

Disa nga udhëtarët rrëfyen për përvojën e jetuar ku njëri prej tyre e quajti dramatike ndërsa disa të tjerë u ankuan se maskat e oksigjenit nuk u hapën pasi filloi të dilte tym.

Frika dhe paniku që shkaktoi incidenti fatmirësisht pa të lënduar, bëri që pas kthimit sërish në aeroport, një pjesë e pasagjerëve refuzuan që të hipnin në një tjetër aeroplan të Ryanair për të vazhduar fluturimin drejt Britanisë.

Kompania Ryanair reagoi për ngjarjen duike thënë se kishte ndodhur një problem i vogël teknik në sistemin e ajrit të kondicionuar.