Xhaka largohet nga Arsenali, në janar kalon tek Hertha Berlin

Hertha Berlini dëshiron ta transferojë mesfushorin e Arsenalit, Granit Xhakën, gjatë afatit kalimtar të janarit, sipas burimeve të mediumit prestigjioz gjerman, Sky Germany.

Trajneri Jurgen Klinsmann, i cili gjatë karrierës së tij si futbollist kishte luajtur si sulmues për Tottenhamin, është në kërkim të një mesfushori dhe e ka identifikuar zviceranin me origjinë shqiptare, e ardhmja e të cili në Arsenal është e pasigurt shkaku i marrëdhënieve me tifozët e klubit londinez.

Mediumi gjerman, Sky Germany, thotë se klubi i Bundesligës, që radhitet në pozitën e 13-të në tabelën e ligës elitare të futbollit në Gjermani, shpreson ta bindë Xhakën dhe Arsenalin për të arritur marrëveshje qysh në afatin kalimtar të janarit.

Po i njëjti medium raporton se edhe Xhaka do të ishte i hapur ndaj këtij transferimi në Olympiastadion, pasi atij iu mor shiriti i kapitenit nga ish-trajneri Unai Emery dhe pasi që nuk ndihet i pëlqyer nga tifozët e klubit londinez.

Karriera e Xhakës në Arsenal, që filloi në vitin 2016, raportohet se ka marrë fund pas zënkës që ai e pati me tifozët e klubit, gjatë barazimit 2:2 të Arsenalit me Crystal Palace më 27 tetor.

Xhaka iu përgjigj fishkëllimave të tifozëve gjatë kohës sa po zëvendësohej në atë ndeshje duke i sharë tifozët dhe duke e zhveshur me forcë fanellën e Arsenalit, si dhe duke ecur drejt e në zhveshtore.

Që nga atëherë, ai ka kërkuar falje dhe ka thënë se është 100 për qind me “Topçinjtë”, mirëpo Mikel Arteta pritet të jetë trajneri i ri i Arsenalit dhe mbetet të shihet nëse 27-vjeçari do të jetë pjesë e planeve të tij apo jo.

Tani, gazeta e madhe gjermane Bild raporton se Xhaka është i lodhur nga kritikat e ashpra që po i bëhen në Angli dhe tashmë ka vendosur të largohet nga Arsenali, gjë të cilën thuhet se ia ka bërë të ditur edhe bashkëlojtarëve në Arsenal.