Vdekja e qenit…

66

Nga Kastriot DERVISHI

Ishte shqetësuese të mësonim se gjatë tragjedisë së fundit, forcat shqiptare të sigurisë nuk kishin asnjë qen kërkimi në operacionet e shpëtimit. Kemi një institut për qentë, por që paska dalë jashtë loje, sepse mendohet vetëm për “diversantët”.

Në harkun e 7 vjetëve e gjysmë, ngaqë depoja e Arkivit të Ministrisë së Brendshme ndodhet në këtë mjedis, së paku 1-2 herë në javë kam qenë në shkollën e qenve në periferi të Tiranës. Kam parë ecurinë e punës së njerëzve të përkushtuar, pasionin e të cilëve e fshiu fare politika e injorantëve me tekat e saj.

Në vitin 2007 shkolla kaloi në varësi të Akademisë së Policisë.  U krijuan praktika të reja pune. Jo vetëm që institutet që kishin nevojë “furnizoheshin” me “lëndën” e shkollës, por edhe pjesa e papërshtatshme shitej.

Vendosja e Saimir Tahirit në krye, ishte një fatkeqësi e madhe për ministrinë dhe pjesët përbërëse të saj. Tahiri që e kujtonte veten polic, veprimtarinë e tij e mbështeti te idetë e dala boje të disa kuadrove të pavlefshëm të komunizmit, të cilët i mori si këshilltarë.

Policia u politizua ndjeshëm, u orientua drejt falsitetit, verbërisë politike, shpërndarjes se lajmeve ordinere (duke shkelur edhe rregullat e informacionit të klasifikuar) dhe spektaklit. U rikthyen në punë oficerë fanatikë komunistë, u luftua elementi i përndjekur politik, profesionistët, etj.

Filluan panairet, ndërsa disa tyryfyçka partie që u bënë drejtore në ministri quanin “punë” spotet e llojit me merimanga për fëmijë në mure, apo shperndarjen e citateve “Jemi me Policinë e Shtetit”.

Një polici tërësisht e kalbur, por e lyer mirë nga jashtë, mbahej vetëm nëpërmjet mosushtrimit të detyrës, raportit jo korrekt me krimin si dhe nëpërmjet propagandës. Konkluzioni ishte i qartë: lulëzim i hatashëmni kriminalitetit, kthim i vendit në prodhues të lëndëve narkotike, etj.

Edhe shkolla e qenve nuk mund t’i shpëtonte këtij degradimi. Menjëherë u hoq nga puna shefi i saj. Shkolla kaloi në varësi të Drejtorisë së Kufirit, duke rikthyer një praktikë të kohës së komunizmit, se atë stil njihnin ndryshqet që solli partia. Se për këta ishte e paimagjinueshme të shërbejnë qente për kërkimin e drogës apo shpëtimin e njerëzve në rrënoja apo dëborë. Janë rritur me mitin e “kufitarit trim” që lufton “diversantët”.

U transferuan gjithë oficerët trajtues në detyra të tjera (a thua se kishte profile të ngjashme), duke e nxjerrë brenda pak vitesh realisht jashtë përdorimit. Nisur nga nga fakti se këta lloje nuk dinë të qeverisin, paaftësinë e tyre e mbushin me keqqeverisje e propagandë.

Vëreni këtë foto të vitit 2016. Ministri Tahiri takon qenin. Këtij madje i kanë vënë një “samar” me fjalën “Policia”. Një veprim qesharak ky pasi qentë e këtij lloji nuk kanë nevojë për fanela dhe samarë.