S’kanë besim te qeveria, Austria do të monitojë ndihmat e veta për të prekurit e tërmetit

Republika e Austrisë ka vënë në dispozicion një shumë prej 600 mijë eurosh, për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Marrëveshja për dhurimin e kësaj shume u nënshkrua në Ministrinë e Mbrojtjes nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe drejtoresha e zyrës lokale të Agjencisë Austriake Për Zhvillim Simone Ungersböck.

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i misionit në Ambasadën Austriake në Turanë, Christian Steiner. Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti, duke rindërtuar ose riparuar shtëpitë e dëmtuara.

Nga kjo marrëveshje pritet që të përfitojnë 140 persona.
Përfituesit kryesorë të këtij donacioni do të jenë kryesisht bashkitë e Durrësit dhe të Tiranës. Partner zbatues i kësaj marrëveshjeje është Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa Agjencia Austriake për Zhvillim do të monitorojë gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe do të informohet në mënyrë të vazhdueshme, direkt në terren për ecurinë e këtij projekti.

Projekti ka hyrë në fuqi më datë 01 dhjetor 2019 dhe do të vazhdojë deri më 31 mars 2021. Austria ka qenë një nga vendet e para të Bashkimit Evropian që ka ofruar mbështetjen e saj në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së duke siguruar pas tërmeteve të 21 shatorit dhe 26 nëntorit 2019, gjeneratorë, batanije, krevatë portativë dhe mjete higjeno-sanitare.