Skandali/ Balla i përcakton axhendën e punës SPAK, e njollosin që ditën e parë

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla ka folur nga Elbasani për tre çështje të aktualitetit si reforma zgjedhore, SPAK dhe paketa antishpifje e miratuar nga parlamenti dy ditë më parë.

Balla tha se Komisioni i Reformës Zgjedhore po bën një punë shumë të mirë dhe është në përfundim të trajtimit të të gjitha çështjeve. Sa i përket SPAK ai solli në kujtesë dosjen e privatizimit të OSSH, duke i kërkuar gjykatës të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes ku janë kallëzuar autoritete të larta të qeverisë së asaj kohe, filluar nga kryeministri Sali Berisha.

Ndërkohë për paketën antishpifje ai tha se është luftuar vetëm me shpife.

REFORMA ZGJEDHORE
“Së pari duhet të themi që Komisioni i Reformës zgjedhore po bën një punë shumë të mirë dhe jemi pothuajse në përfundim të trajtimit të të gjitha çështjeve që lidhen me kodin zgjedhor, pra me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik, themeli i të cilit padyshim që duhet të jetë depolitizimi i nivelit të parë, të dytë dhe pse jo të tretë të administrimit të zgjedhjeve”, deklaroi sot Balla nga Elbasani.

Sipas tij, bëhet fjalë që në zgjedhjet e vitit 2021 të mos ketë më komisionerë apo numërues të propozuar nga partitë politike dhe ky është një hap tejet i rëndësishëm. “Pa dyshim që reforma zgjedhore në çdo kontekst do të kërkojë në vijim edhe një transparencë më të plotë të financimit të partive politike”, deklaroi Balla.

SPAK
I pyetur për SPAK dhe nëse duhet të fillojë hetimin nga politika, Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla theksoi se është e papranueshme të mbyllet çështja e OSSH.
“Unë i uroj punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion e cila duhet të shoqërohet menjëherë dhe me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit për hetime të plota, për dosje të pluhurosura, të cilat presin drejtësi.

Jam informuar që një pjesë e më shumë se 140 dosjeve që do të jenë puna e parë e prokurorëve, dua të ndaj me ju faktin që një ndër dosjet që unë do i kërkoja SPAK-ut duhet të jetë edhe kallëzimi i bërë nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me gjetjet e raportit të komisionit hetimor për privatizimin e OSSH ku janë kallëzuar autoritete të larta të qeverisë së asaj kohe, filluar nga kryeministri Sali Berisha, jemi informuar nga ana e prokurorisë që prokuroria i është drejtuar gjykatës për ta mbyllur këtë çështje.

Është e papranueshme që kjo çështje të mbyllet. Kjo çështje duhet hetuar nga prokuroria speciale anti korrupsion dhe do i kërkoja gjykatës që ta kthejë mbrapsht dhe kjo dosje të jetë një prej dosjeve që duhet të shqyrtohet nga SPAK-u.

Jemi informuar që gjykata këtë çështje do ta shqyrtojë më datë 27 dhjetor, por është e pakuptueshme tashmë që kemi ngritur këtë njësi speciale për të luftuar korrupsionin që kjo dosje të mbyllet pa u hetuar”, theksoi Balla.

PAKETA ANTI SHPIFJE
Numri dy i PS-së Taulant Balla tha se ligji kundër abuzimit në dëm të cilësisë së lajmit, në dëm të lirisë së fjalës është luftuar vetëm me shpifje.

“Së pari, dua ta sqaroj dhe në websitin e parlamentit kemi të publikuar të dyja ligjet, qoftë ai për mediat ku saktësohet qartë roli i AMA-s dhe roli i AKEP. Dua të ndaj me ju vlerësimin që ligji kundër shpifjes është luftuar vetëm me shpifje. Ligji kundër abuzimit në dëm të cilësisë së lajmit, në dëm të lirisë së fjalës është luftuar vetëm me shpifje.

Pra, gjithë argumentet që janë trajtuar me keqdashje nuk qëndrojnë, ne sot kemi një ligj kundër shpifjes, kemi një kuadër ligjor fillestar kundër shpifjes për të garantuar që puna juaj e nderuar e përditshme për të trajtuar lajmin e vërtetë të mos baltoset nga puna e ndonjë kolegu tuaj i cili abuzon me të vërtetën.

Ka plot media ndër ju të cilat ruajnë korrektësi por ka edhe ndonjë media kryesisht të operatorit të ofrimit të shërbimit përmes internetit të cilët abuzojnë me të vërtetën duke e zëvendësuar atë më shpifjen. Shpifja duhet luftuar, BE, vendet anëtare të BE kanë marrë një sërë masazh për të luftuar atë që quhet dezinformim”, deklaroi Balla.