Shpërthim tritoli në Vlorë, hidhet në erë makina e prokurorit

Një shpërthim tronditi mëngjesin e sotëm lagjen ’29 Nëntori’ në Vlorë. Shpërthimi ndodhi në makinën e prokurorit të rrethit Albert Kuliçi. Mjeti që ishte parkuar pranë banesës së prokurorit ka dëme të konsiderueshme, ndërkohë është dëmtuar dhe një tjetër makinë që ishte parkuar pranë Volfsvagenit të Kuliçit. Dyshimet e grupit hetimor janë se prokurorit i kanë vendosur lëndë plasëse në mjet.

“Rreth orës 06:45, në lagjen ’29 Nëntori’,  automjeti tip Volskwagen me targë AA 583OO dyshohet se është dëmtuar plotësisht me lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit dyshohet se është dëmtuar pjesërisht edhe një automjet tjetër i parkuar afër. Nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mjeti Volksëagen është në pronësi të shtetasit Albert Kuliçi, me detyrë Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Për këtë ngjarje, është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të cilët po merren me zbardhjen e ngjarjes”, njoftoi policia.

Burime pranë grupit hetimor thanë se një nga pistat që po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Dyshohet se episodi ka qenë një paralajmërim për prokurorin.

Dosja e pronave

Një nga dosjet ‘me peshë’ që po heton prokuroi i Vlorës është ajo e skemës së grabitjes së 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës në Vlorë. Një muaj më parë, prokuroi firmosi urdhër-ndalimin për biznesmenin vlonjat Pëllumb Petritaj. Ky i fundit po gjykohet në gjykatën e Vlorës për tjetërsimin e 100 hektarëve në zonën e Akërnisë në Vlorë. Ky i nëntorit, ishte arrestimit i dytë i biznesmenit për të njëjtën çështje, pasi gjykata me kërkesë të prokurorisë revokoi masën e sigurisë të dhënë në maj të këtij viti, që e kishte lënë atë të lirë me garanci pasurore 2.5 milion lekë.

Amarildo Petritaj, djali i të arrestuarit i cili i ka mohuar akuzat e tjetërsimit të pronës, paditi tre gjykatësit që pranuan urdhër-ndalimin duke pretenduar se në një marrëveshje me policinë dhe prokurorinë, kishin lejuar arrestimin para se të merrej vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë. Ai pretendon në kallëzimin penal se ka mesazhe mes gjyqtarëve dhe policisë gjyqësore, që sipas tij kanë cënuar “fshehtësinë e dhomës së këshillimit”.

Shpëtim Gjika

Kuliçi ka firmosur dhe për ndalimin e ish-kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe ka kërkuar në Gjykatën e Vlorës dënimin e tij me 9 vjet burg për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fallsifikim dokumentash”, “Fshehje të provave të krimit” dhe “Ndërtim të paligjshëm”.

auto Screenshot 41576915244