Shpërthen Ylli Rakipi: Ligji antishpifje nga ‘lideri suprem’, këto nisma janë fashizëm…

Gazetari Ylli Rakipi ka reaguar ashpër në mbledhjen e Komisionit të Medias, ku ishte ftuar për të diskutuar dy nismat ligjore për median, të cilat janë kritikuar gjerësisht si projektligje që kufizojnë lirinë e mendimit.

Duke e quajtur disa herë Edi Ramën ‘lideri suprem’, Rakipi tha se këto nisma janë fashizëm.

“Urdhri administrativ do dalë mbi drejtësinë dhe gjykatat. Kjo ju kërkohet juve zotërinj deputetë. Por dijeni se ky do jetë turpi juaj. Këto projektligje nuk janë të ngjashme me asnjë iniciativë në vendet demokratike. Edhe sikur të merrni copëza dhe të ndërtoni një ligj me copëza të rrëmbyera, nuk do e bëni dot se do të dalë shëmti,” tha Rakipi.

Ai tha se ligji do godasë gazetarët që paguhen me rroga skandaloze dhe jo pronarët e mëdhenj të mediave.

“Këshilli i Ankesave brenda AMA do të vendosë gjoba për gazetarët me rroga të turpshme minimale. Do ia paguajnë liderit, Edi Ramës. Do e paguajnë pa shkuar në gjykatë. Kjo është fashiste,” tha ai.

Rakipi tha se ai është në gjyq me Ramën.

“Më kanë thirrur jo për shpifje, por atë që mendoj për liderin suprem. Turp i madh”.

“Nuk ka asnjë garanci që personat që do shërbejnë në Këshillin e Ankesave do jenë të pavarur. Ne po shohim se çfarë ka kapur lideri suprem. I ka mbetur vetëm një kryetar shteti që vetëm del e shan Dvoranin.

Në kohën kur vendi është në emergjencë dhe njerëzit nuk kanë ku fusin kokën, votohet për një ligj të tillë”, tha Rakipi.