Shkolla që u ndërtua nga Dako 4 vite më parë u shemb nga tërmeti, Rama çon ruspat…

Shkolla 9 vjeçare ‘Naim Babameto’ në Durrës u ndërtua vetëm katër vite më parë, por sot kjo shkollë është shembur nga fadromat e IKMT-së, pas dëmtimeve të rënda që mori në strukturë nga tërmeti i 26 nëntorit, kjo pasi dy kolonat kryesore në pjesën ballore kishin dalë jashtë funksionimi.

Sigurisht që ‘Naim Babameto’ nuk është shkolla e parë e ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit që ka pësuar dëmtime të rënda, dhe dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi për shpëdorim detyre dhe të fondeve publike.

Në këtë shkollë marrin mësim mbi 900 nxënës, ndërkohë që nxënësit tashmë janë të detyruar të shkojnë në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”, në oraret e pasdites.

Kjo situatë ka sjellë reagimin e nxënësve dhe të prindërve, të cilët duhet të çojnë fëmijët nga zona e Porto Romanos e Spitallës në drejtim të stadiumit, ku gjendet shkolla pritëse.

Nxënësit e kanë shumë të vështirë zhvendosjen, pasi rruga që duhet të përshkojnë është një nga arteriet më të mbingarkuara në Durrës, pasi aty kalojnë qindra autobote të ngarkuar me lëndë djegëse, që shpërndahen në të gjithë Shqipërinë e në Kosovë e Maqedoni.

Vetëm në rrethin e Durrësit janë 12 shkolla të dëmtuara.