SHBA, Senati miraton projektligjin “sanksionet nga ferri” kundër Rusisë

Senati amerikan ka miratuar një projektligj, përmes së cilit do të ndëshkohet Rusia për ndërhyrjet e supozuara në proceset demokratike në botë, si dhe për veprimet e “dëmshme” në Siri, bashkë me agresionin kundër Ukrainës.

Projektligji, që është përshkruar nga senatori republikan, Lindsey Graham, si “projektligji me sanksione nga ferri”, është miratuar me 17 vota për dhe 5 kundër në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell do të vendosë nëse do ta prezantojë këtë projektligj për votim në tërë Senatin.

Për t’u kthyer në ligj, ky dokument duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndonëse një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë deri në vitin e ardhshëm.

I prezantuar fillimisht më 2018, ky projektligj shënjestron bankat që mbështesin përpjekjet e Kremlinit për të “dëmtuar institucionet demokratike në shtetet tjera”, individë që shesin mallra për sektorin e naftës së këtij shteti, industrinë kibernetike ruse, si dhe figura të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.