Sarri: Sulmi i udhëhequr nga Ronaldo nuk ka faj për disfatën nga Lazio

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, beson se skuadrës së tij i mungoi energjia në humbjen 3:1 nga Lazio në Superkuën e Italisë, duke këmbëngulur po ashtu se sulmi i përbërë nga Cristiano Ronaldo, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain nuk ka faj për dështimin.

Bardhezinjtë u mposhtën nga Lazio për herë të dytë brenda këtij muaji, duke dështuar ta mbrojnë titullin në Superkupën e Italisë.

Juve u mund në Arabinë Saudite edhe pse luajti në sulm me Ronaldon, Dybalan dhe Higuainin, me të cilët kishte shënuar fitore bindëse ndaj Udineses dhe Sampdorias.

Derisa i pranoi të metat në paraqitjen e Juves, Sarri ishte i etur të nënvizojë se Higuain u zëvendësua nga Aaron Ramsey – një mesfushor – kur rezultati ishte 1:1.

“U futem në këtë ndeshje pa energji fizikisht dhe mentalisht. Kjo ndodh. Lazio po kalon nëpër një formë të jashtëzakonshme”, tha Sarri pas ndeshjes.

“Na vjen keq që humbëm, por ende kemi shumë gara për të luajtur në pesë muajt e ardhshëm”, shtoi ai.

Sarri theksoi më pas: “Ne nuk humbëm për shkak të treshes sulmuese, nga momenti që e pranuam golin e dytë dhe të tretë, unë e futa një mesfushor”.