Ronaldo humb finalen e parë pas 7 vjetëve

Cristiano Ronaldo e ka humbur finalen e parë pas plot shtatë vjetëve, pasi ka qenë i pamposhtur në ndeshje finale derisa Lazio e mundi Juventusin 3:1 të dielën në finale të Superkupës së Italisë.

Superylli portugez e hoqi nga qafa menjëherë medaljen e argjendtë dhe iku drejt e në zhveshtore, duke mos pritur ta shohë Lazion duke e ngritur në qiell trofeun e Superkupës së Italisë.

Lazio e mundi bindshëm 3:1 Juven në Riad dhe e fitoi këtë trofe për herë të dytë në tri vjetët e fundit, përsëri ndaj bardhezinjve.

Është e kuptueshme që Ronaldo nuk ishte plotësisht i sigurt se cili ishte protokolli që duhej ta ndiqte si humbës në një ceremoni si kjo, sepse nuk e kishte përjetuar një gjë të tillë që shtatë vjet.

Hera e fundit kur Ronaldo gjendej në anën e humbësit në një finale, ishte 17 maji i vitit 2013, kur Real Madridi ishte mposhtur nga rivali Atletico Madrid 2:1 në kohën shtesë, në Kupën e Mbretit.

Ronaldo i kishte fituar 12 finale radhazi me klubin dhe kombëtaren deri me takimin me Lazion.