Puthja e Ramës për oligarkun

Anxhela dhe Martini iu gëzuan sot shtëpisë së re, çelësat e së cilës ua dorëzoi me dorën e tij kryeministri Rama pasi banesa e tyre e vjetër u bë e pababueshme nga tërmeti i 21 shtatorit.

Derën e hapi e zonja e shtëpisë teksa Rama udhëzonte Martinin e vogël që të hynte me këmbën e djathtë, pasi kështu sillte edhe mbarësi.

“Mbarësia”, për të cilën Rama udhëzoi Martinin duket se ishte vetëm një metër pas vogëlushit që sytë i shndrisnin nga gëzimi që po bëhej me një shtëpi të re.

Ai quhet Pëllumb Salillari, pronari i kompanisë së njohur “Salillari” dhe Rama e falenderoi atë në një mënyrë ndryshe për dhënien e një grushti nga dhjetra milion eurot tenderë të marra nga qeveria dhe bashkia e Tiranës gjatë viteve të fundit.

Abcnews.al ka fiksuar momentin kur Rama e puthi Pëllumb Salillarin në “ballë” (sec 0: 20) teksa i dhuronte Martinit dhe Anxhelës shtëpinë e ndërtuar nga biznesmeni i preferuar i qeverisë.

Nga ç’duket prej videos së transmetuar live në ERTV , Rama la të kuptohej se nuk e mbante mend Pëllumbin, megjithatë letrat tregojnë se ai është një ndër fituesit më të mëdhenj të tenderëve të organizuar nga institucionet publike, përfshi edhe bashkinë e Tiranës.

Kompania e tij përllogaritet të ketë marrë rreth 50 milion euro tenderë vetëm nga tre lotet e Unazës së Re.
I njëjti bizesmen ka gjysmën e aksioneve të kompanisë “Albanian Highway Concession“, të ngritur bashkë me “Kastrati Group” për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ndërsa është shpallur fitues nga Bashkia e Tiranës për koncensionin 15.3 milion euro të Terminalit të Transportit Publik të kryeqytetit.

Marrja e dhjetra apo qindra milion eurove tenderë nga taksat publike dhe “kthimi” i këtij borxhi përmes rindërtimit të ndonjë shtëpie një katëshe duket të jetë një trend i kohëve të fundit dhe sigurisht, mund të falenderohesh edhe me ndonjë puthje në “ballë” nga i pari i vendit. /abcnews.al