Pesë të dënuar me vdekje për vrasjen e Jamal Khashoggit

Arabia Saudite dënoi të hënën pesë veta me vdekje dhe tre të tjerë me gjithsej 24 vjet heqje lirie lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në Stamboll i tetor të vitit të kaluar.

Zëvendës Prokurori Publik saudit, Shalaan al-Shalaan, duke lexuar vendimin tha se gjykata hodhi poshtë akuzat kundër tre nga 11 personat sa ishin në procesin gjyqësor, duke i shpallur ata të pafajshëm.

Jamal Khashoggi një kritik i Princit të Kurorës saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, u pa për herë të fundit në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018, ku ai kishte shkuar për të marrë disa dokumente para dasmës së tij. Trupi i tij u copëtua e u zhduk dhe eshtrat e tij nuk janë gjetur.

Vrasja shkaktoi një reagim botëror duke prishur imazhin e princit të kurorës. CIA dhe disa qeveri perëndimore kanë thënë se besojnë që princi Mohamed urdhëroi vrasjen, por zyrtarët sauditë thonë se ai nuk kishte të bënte me të. Njëmbëdhjetë të dyshuar sauditë u gjykuan në një proces të fshehtë në Riad.

Gjykata penale e Riadit, shqiptoi dënimin me vdekje për pesë persona emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur ende, “për kryerjen dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në vrasje” e gazetarit.
Tre veta u dënuan me burg me kohëzgjatje prej 24 vjetësh gjithsej “për rolin e tyre në mbulimin e këtij krimi dhe shkeljen e ligjit”.

Prokurori Shalaan shtoi se hetimet vërtetuan që nuk kishte “armiqësi paraprake” midis të dënuarve dhe gazetarit Khashoggi.