PD: Në dyshim integriteti i SPAK, Arben Kraja hetues i komunizmit, Altin Dumani takim me Ulsi Manjen

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi në një deklaratë për mediat, ka publikuar sot dy foto, dokumente të dalë në media në lidhje me dy anëtarë të SPAK.

Bardhi ka publikuar dokumentin për drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, si hetues politik në kohën e komunizmit dhe foton ku anëtari i SPAK, Altin Dumani është me Ulsi Manjën.

Deklarata e plotë e Gazmend Bardhit

Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka komentuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve të SPAK, duke patur bindjen se integriteti i kësaj strukture duhet të ruhet në çdo rast.

Edhe pse disa prej anëtarëve janë zgjedhje ekskluzive e Qeverisë dhe i kanë shërbyer Partisë Socialiste, ne zgjodhëm të japim mbështetje publike për të gjithë trupën, pa i paragjykuar, duke patur si objektiv strategjik ruajtjen e integritetit të SPAK-ut dhe moscënimin e besimit të publikut tek kjo strukturë, sepse përmes së cilës u është premtuar shqiptarëve lufta kundër krimit të organizuar dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare.

Por Partia Demokratike nuk mund të qendrojë indiferente ndaj 2 fakteve të rënda, të bëra publike nga media online, që venë në dyshim serioz integritetin e kësaj strukture!

Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit.

Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist”nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS.

Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja.

Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP.

dokument

manja spak