Pa bizneset e mëdha, Durrësi pagoi 116 milionë euro taksa më 2018

Bizneset e Durrësit, ato të voglat dhe te mesmet, paguan vitin e kaluar në arkën e tatimeve 14,3 miliardë lekë ose 116 milionë euro taksa. Kjo shumë ishte sa 5.8 për qind e të ardhurave që grumbulluan tatimet vitin e kaluar në të gjithë vendin, të cilat ishin 246 miliardë lekë, sipas të dhënave nga tatimet.

Shuma prej 116 milionë eurosh është grumbulluar nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Durrësit Nga ky rreth 5,2 miliardë lekë është paguar TVSH dhe rreth 8 miliardë lekë sigurime shoqërore.

Mirëpo Durrësi është kontributor shumë më i madh në taksa pasi një pjesë e tatimeve nga qyteti shkojnë për arkën e tatimpaguesve të mëdhenj. Arkëtimet e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj ishin në vitin 2018 rreth 94 miliardë lekë dhe një pjesë e tij i dedikohet kompanive VIP nga qyteti i Durrësit.

Shkatërrimi i një pjesë të qytetit nga tërmeti i 26 nëntorit ka vështirësuar aktivitetin e bizneseve në zonë. Përveç shpenzimeve për rikuperimin e Durrësit, buxheti i shtetit do të jetë nën presion të vazhdueshëm për arkëtime taksash nga zonat e prekura.

Por ekspertë të ekonomisë pohojnë se qytetet dëmtuara mund të futen në një cikël të ri kërkesë në procesin e rindërtimit. Rikuperimi i dëmeve do të fusë Lezhën, Durrësin, Kurbinin në një valë të re ndërtimesh, të cilat kërkojnë krah pune e për pasojë kjo mund të ringreje sërish aktivitetin e bizneseve në zona.

Por Durrësi duket se do të vuajë pasojat psikologjike sidomos në sektorin e turizmit. Si plazhi më i frekuentuar në vend si për plazhin masiv, por së fundmi edhe ofertës e luksit ka gjasa se turizmi nuk do të ketë shkëlqimin që nisi të rimarrë.

Sipas të dhënave të INSTAT Durrësi kontribuon në 10 për qind të ekonomisë shqiptare sipas vlerësimit për vitin 2017. Durrësi është qarku i tretë në vend pas Tiranës dhe Fierit për kontributin në ekonominë kombëtare.

Në Durrës janë rreth 13 për qind e ndërmarrjeve aktive në të gjithë vendin ose rreth 13 mijë ndërmarrje. Aktiviteti i turizmit furnizon pothuajse 53 për qind të ekonomisë së qytetit, nëpërmjet sektorëve të tregtisë, shërbimeve, akomodimit dhe bar restoranteve.