Një muaj pas tërmetit, banorët e Kombinatit rrezikojnë jetën në pallatet e shpallura të pabanueshëm

Lagja e Kombinatit në Tiranë është ende e tronditur një muaj pas tërmetit. Banorët kanë probleme me bonuset e qirasë dhe rrezikojnë jetën në pallatet e shpallura të pabanueshëm, ndërsa shumë biznese janë në prag të falimentimit.

Në rrugën kryesore duket sikur gjithçka është si më parë.

Kombinati, në zonën e tij qendrore nuk të jep përshtypjen aspak të një lagjeje të goditur keq nga tërmeti, por kjo përshtypje ndryshon sapo hyn në brendësi. Pallate të dëmtuar ka shumë, flitet për 24 të tillë, me qindra familje e mijëra banorë të larguar.

Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë bonusin për qiranë, dhe janë në pritje për zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre, shembje apo jo e pallateve, ndërtim apo jo të banesave të reja. Edhe pse kanë kaluar 30 ditë nga goditja e natyrës, ende ka njerëz që marrin orendi për t’i zhvendosur diku tjetër.

Sipas ligjit të jetës në një sistem të tillë, fatkeqësia krijon mundësi për biznes, dhe dikush kërkon të blejë me të lirë, për të shitur më shtrenjt.

Një qytetar i vjetër shkon në ish-pallatin e tij për të marrë diçka tjetër.

Ai quhet Pëllumb Qazolli i cili tregon katet e sipërme të apartamentit të tij. Gjithashtu Qazolli tregon dokumentin e bashkisë, sipas të cilit godina është e pabanueshme.

Në mes të një shkatërrimi të frikshëm, Pëllumbi, që banon me familjen në Pallatet Çabej në fushën e Yzberishtit, tregon pasojat psikologjike të tërmetit të rënë në orën 4 pa 10 të 26 nëntorit.

“Vajzën e kemi akoma në gjendje të rënduar është e frikësuar nga tërmeti. Ka një seri problemesh që i shfaq herë pas here”, shprehet ai.

Problemi kryesor i familjes së tij ka lidhje me bonusin e marrë nga shteti.

“I kam bërë Bashkisë një shkresë për ta rishikuar. Kam tre dhoma një kuzhinë, të paktën të plotësohet sa është përcaktuar, për tre dhoma dhe një kuzhinë”, tha Qazolli.

Në shtëpi, Qazimi dhe e shoqja Flora, kanë ende gjëra për të marrë. Siç ata shprehen kanë panele diellore për të kursyer energjinë, apo edhe dyer dhe sende të tjera me vlerë.

Një Radio Iliria të kthen në vitet 80-të, ndërsa një biçikletë e vogël të kujton se këtu kanë banuar edhe fëmijë, që për fat kanë shpëtuar.

Gjithsesi në vizitën e sotme çifti i moshuar ka shprehur dhembshurinë edhe për lulet.

“Na vjen gjynah, mendoj edhe për lulet”, shprehen ata.

Ndahemi nga çifti i moshuar, për të vazhduar hulumtimin në Kombinat.

Nuk mund të largohemi pa vërejtur shkatërrimin e brendshëm të nxjerrë në korridorin e përbashkët.

Apartamente të dëmtuar ka shumë, të braktisur, ndërsa njerëzit mezi kanë mundur të rikuperojnë mjaft gjëra të vlefshme, pasi duhet të gjejnë vend për to. Si një plugim, tërmeti ka nxjerrë nga thellësia gjëra të vjetra, si këto gazeta të 20 apo 30 viteve të shkuara. Nuk mund t’i mbajnë atje ku janë me qira, shpesh në shtëpi private, me ambiente sa për të futur kokën. Kontrasti është i fortë mes fatkeqësisë së disave dhe normalitetit të pjesës tjetër.

Normalisht, një gazetar ndjen kënaqësi kur ndodhet në terren, kur është në vendngjarje, por ndërsa zbresim nga kjo ndërtesë e vitit 1977, s’mund të ketë tjetër veçse pikëllim dhe një rëndesë në zemër.

Pasiguria këtu është e madhe, po ashtu ndjenja e pafuqisë dhe e vogëlsisë së njeriut.

Ky grup pallatesh me numrin e përbashkët 165, kanë përvojë të hidhur me tërmetet.

Një banor aty pranë, dhe e shoqja, tregojnë se pikërisht këtu nuk është punuar mirë.

“Nuk është punuar me cilësi, varet edhe nga tekniku, nëse i neglizhon punimet ato bëhen të dobëta”, shprehen banorët.

Tërmeti i 1989-ës shkaktoi dëme edhe më të mëdha, por u rregulluan nga Komunalja, dhe u përforcuan muret me betonim.

Këta banorë kanë pasur fat dhe mund ta vazhdojnë jetën normalisht.

Ndërsa ne flasim me qytetarët, çifti i pensionistëve del nga pallati bashkë me vazot e luleve.

Gjithçka mund të bëj, është t’i ndihmoj një copë rrugë deri tek fqinja me oborr.

Jo larg prej tij është një pallat me numrin 152.

Në realitetin e plehrave dhe sendeve të braktisura në dyshemenë e tij, afrohen dy banore, të cilat nuk kanë shumë dëshirë të flasin.

Diçka normale për shqiptarët e sotëm, shenjë e urbanizimit të pamjaftueshëm, një garanci se problemet nuk kanë fuqi t’i zgjidhin, dhe janë në mëshirë të shtetit.

Këto zonja e kanë një problem.

“Jemi si pallat që nuk i kemi marë jo vetëm unë si familje”, shprehet banorja.

Gjithsesi, kanë qenë sërish me fat sepse këtu mund të kishte pasur humbje jete.

“Krevatit të nënës i ka rënë suvaja në trup, por për fat të mirë ka shpëtuar”, tregon Bledi, një prej banorëve.

S’na mbetet veçse të dalim, të marrim nga sytë këmbët, për të mos rrezikuar më tej.

Në trotuarin para ndërtesës 152 mblidhen shumë banorë, një ritual ndoshta i përditshëm, por që nuk krijon një fuqi për të detyruar autoritetet të veprojnë më shpejt dhe më mirë.

Pak më larg nga zona e pallateve, është një grumbull shtëpish të ulëta në kodër.

Një zonjë, e quajtur Silvana Xhepa, ankohet për fatin e saj.

“Çatia e shtëpisë është çarë komplet, çfarë bie jashtë futet brenda”, tregon Silvana.

Shtëpia ka dëmtime, edhe pse shumë më pak se pallatet që vizituam më herët, dhe kjo ndoshta është fatkeqësia e saj, ndërsa i shoqi kishte shkuar të hiqte penjtë pas operacionit të bërë disa javë më parë.

Banorët e shumëkatësheve me gjasë do të kenë shtëpi, në një zonë të Kombinatit, por për shtëpitë private nuk dihet nëse do të jetë ky kujdes.

Rruga në të cilën zbresim duket që është në gjendje në mirë.

Aty poshtë jeta vazhdon normalisht.

Njerëzit blejnë si çdo ditë në dyqane, në ato shitore me fat që kanë banorë rreth e rrotull.

Pastrueset e bashkisë punojnë, për të justifikuar atë rrogë të vogël, por shpesh tregojnë një ndërgjegjje që nuk e gjen gjerësisht.

Njëra prej tyre na lajmëron për plehrat e mbledhura para pallateve, të hedhura nga banorët e larguar.

E njëjta mendësi e tipit “kujdesem deri tek pragu i shtëpisë sime”.

Punonjëset thonë se Ndërmarrja e Bashkisë e ka lajmëruar kompaninë e pastrimit, por makinat nuk kanë ardhur.

Ndërkohë banorët e tjerë ankohen se mund të bjerë ndonjë sëmundje.

Shumë pranë është një nga ndërtesat-simbol të dëmtimeve, dhe aty pranë ndodhi humbja e vetme e jetës në Tiranë nga tërmeti.

Flamujt kanë mbetur ashtu siç ishin para 26 nëntorit, në prag të festave.

Kujt mund t’i shkonte mendja për t’i hequr.

Një gjë edhe më e rëndësishme është harruar.

Punonjës të OSSHE-së shihen të hyjnë në ndërtesën e braktisur.

“Kemi ardhur për pezullimet e kontratave”, shprehen punonjësit e OSSHE-së.

Jemi në fund të dhjetorit, dhe kontratat ende nuk janë mbyllur. Kjo do të thotë se njerëzit duhet të paguajnë, qoftë edhe taksat, ndonëse nuk banojnë aty. Gjendjen në brendësi të këtij pallati është pak ta quash të frikshme. Dëmtimet janë të mëdha, si edhe në banesat e tjera të goditura. Njerëzit që kanë ardhur herë pas here, nuk kanë pasur nge të shuajnë as dritat e shkallëve të përbashkëta. Që nga katet e sipërme të këtushme, shikon lagjen e ndërtuar pa kujdes, mishërim i vërtetë i tranzicionit shqiptar.

Asnjë harmoni ndërtimesh, fasadash, ngjyrash, asnjë organizim, vetëm “secili për vete, Zoti për të gjithë”.

Shihet një lajmërim për saktësim banimi, tipike për një vend ku prej 30 vitesh nuk dihe as adresat e qytetarëve.

Të paktën, furnizimi me ujë duket se është ndaluar, pra nuk do të ketë as përmbytje, as pagesa të tepërta.

Tërmeti ndoshta mund ta ndryshojë këtë mentalitet, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Në pallatet aty rrotull, edhe pse me kryq të kuq, oxhaku tymos pa u trembur aspak.

Dikush përballë, mban ende dy qen të mëdhenj race, që kushedi për çfarë duhet të jenë aty.

Largohemi edhe nga ky pallat i fashuar shpejt e shpejt me shirita.

Në ndërtesën fare pranë, edhe ai i shpallur i pabanueshëm, në dritare duket një gjyshe.

Pasi ishte e pamundur të merreshim vesh në distancë, u ngjitëm lart.

Zonja Eleni Kola, me origjinë dropullite e 85-vjeçare, ka një fatkeqësi të freskët.

Sinkron Eleni Kola “Kam qënë në Greqi, më ka vdekur fjali, nuk kisha çfarë të bëjë dhe erdha të shtëpia”, tregon Eleni Kola.

Ajo vjen herë pas here të marrë plaçkat, pak e nga pak.

Edhe gjyshja ka problem me bonusin.

“Shkova dhe më than që do dalin”, tregon ajo.

Edhe pse e vjetër, nuk harron dokumentet e pagesës së ujit apo dritave, ndërsa një rrugë e dy punë, ka bërë edhe pak blerje për t’u ushqyer.

Zonja Eleni ka ardhur këtu 22-vjeçare, dhe ka punuar gjithë jetën në Kombinat, vitet e fundit të jetës iqëlloi t’i kishte pikërisht kështu, ndonëse qeshja nuk I ka ikur.

Në një lagje të tillë nuk vuajnë vetëm familjet.

Ja një biznes i vogël që punon rëndshëm, por që është në rrezik.

“Nuk bëjmë dot dhjetë  mijë lëkë xhiron në ditë. Siguracioni duhet paguar. Me çfarë do ti paguajmë”, thotë ajo.

Problemet e tyre janë tipike për një vend të papërgatitur për fatkqesitë natyrore.

“Shkova në bashki dhe më thanë se për dyqanet nuk bëhet fjalë fare, kemi hall të strehojmë kokat”, tregon banorja.

Në çdo shtet normal, taksimi progresiv do ta kishte krijuar fondin për një rast të tillë, dhe do të quheshin të paguara taksat, qiratë dhe nevojat normale të jetesës.

Ne thjesht mund të blejmë disa biskota sa për të thënë se po bëjmë xhiro.

Ky është Kombinati, lagje me mbi 50-60 mijë banorë, një muaj pas tërmetit. Në një braktisje të tillë, njerëzve u mbetet të krijojnë iluzione, të luten, të paktën për të mpirë nervat që të mos ndjejnë tmerrin. Kështu ka qenë për qindra vjet, të paktën. Kombinati po ashtu ka festë, jo më kot është fundviti. Ka edhe njësi të pushtetit lokal, të zbukuruar jo shumë kohë më parë.

Njerëzit ecin pranë e pranë, por secili larg problemit të tjetrit, një ritual që do breza për t’u ndryshuar. /abcnews.al