Një fuqi që nuk ngjason me fuqitë e tjera…

Nga Artan FUGA

Thuhet se natyra shfaqet krejt indiferente ndaj asaj që i ndodh njeriut në jetën e tij në shoqëri.

Njeriu ndofta ka fuqi ta ndryshojë për mirë a për keq natyrën, por duket gjithsesi disi e vështirë që elementet natyrore, anasjelltas, për shembull, të ndikojnë në ndryshimin e shpejtë ta zëmë të sistemeve politike, ideologjive, zakoneve e të tjera si këto. Sidoqoftë, sipas meje, ata që mendojnë kështu gabohen.

Teori të ndryshme shpjegojnë me një siguri naive se natyra e shteteve nuk përcaktohet nga peizazhi, nga format gjeografike të tokës, nga klima, etj. Jo pak herë ata që kanë thënë të kundërtën janë cilësuar me etiketa të rënda duke i quajtur deterministë gjeografikë, mekanicistë, a ku e di unë se me çfarë emrash të tjerë.

Kam përshtypjen se gjërat duhen parë më me kujdes dhe në mënyrë paksa më të mirëkuptuar.

Nuk ka diskutim se, nëse në një vend ndodh ndonjë grusht shteti, frymëzuar nga grupime të vogla që e urrejnë demokracinë – kjo, nuk ka diskutim, s’ka asnjë lidhje bie fjala me temperaturën e ujit të detit. Nëse dikush, po kështu, abuzon me postin e lartë politik që ia kanë besuar dhe dhënë dhuratë të tjerët, edhe ky fakt, nuk lidhet ta zëmë me konstatimin se janë duke u shkrirë akullnajat mijëravjeçare të globit.

Nëse një nëpunës i lartë është korruptuar, «futur në thes» nga grupe okulte interesi dhe, pastaj, kërkon ta fshehë këtë korrupsion me lloj-lloj prapaskenash dhe dredhish dhelparake – më së shumti përtej dhe antiligjore, antikushtetuese – edhe ky fakt nuk mund të shpjegohet me shuarjen e ndonjë ylli, a me kalimin e ndonjë komete me bisht të gjatë në qiellin e ndonjë nate vere.

Për të gjitha këto edhe unë jam shumë dakord dhe nuk i kundërshtoj aspak, megjithatë, përsëri insistoj duke thënë se problemi është shumë i ndërlikuar dhe nuk mund të zgjidhet në mënyrë kaq të prerë.

Prej vitesh mendoj për fuqinë e madhe të detit, konkretisht, të detit Adriatik. Është fjala për një fuqi që nuk ngjason me fuqitë e tjera që shprehen me egërsi, urrejtje, forcë, inat kundrejt kundërshtarëve, nuk paraqitet si sundim i tyre.

Kam menduar për fuqinë zbutëse të këtij deti që bën pjesë në hapësirën mesdhetare. Pa dyshim, e pranoj, vetë termi është tepër kontradiktor. Si mund të flasim për «fuqi zbutëse»? A mund të ketë fuqi zbutëse? Në ushtrimin e saj përballë kundërshtarëve që e kërcënojnë, zakonisht, ushtrimi i fuqisë ka natyrë ashpërsuese. Mirëpo, ja, që nuk mund të futen të gjitha gjërat në një kallëp.

Nuk kam asnjë dyshim se deti Adriatik ka ndikuar në zbutjen e regjimeve politike, në ndryshimin e zakoneve morale duke i bërë ato më të shkrifta, ka afruar më shumë burrin me gruan duke e tretur disi pushtetin e mashkullit mbi femrën, i ka bërë më delikate mënyrat e veshjes, ka lehtësuar dialektet. Me një fjalë ka bërë që e gjithë bota që ndërtojnë njerëzit mbi sterè të shkojë drejt një modeli më liberal, më njerëzor, më të mirëkuptuar.

E përfytyroj si një enë gjigande laboratori këtë gropë të madhe që planeti ynë ka krijuar për të mbledhur e mbajtur masa gjigande uji të kripur dhe që quhen, nuk e di përse: deti Adriatik. Duket sikur ajo është mbushur me një lloj solucioni që ashtu si ka shkrirë kripën që mban në vetvete, mund të tresë edhe pushtete autoritare, zakone të ngurta, obsesione paranojake që e izolojnë një vend nga të tjerët.

Efekti i detit Adriatik mbi ato që kanë ndodhur mbi tokë këto dhjetëvjeçarët e fundit, jo vetëm që sipas meje ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, por është ushtruar edhe disi në mënyrë të fshehtë, të padukshme. Të kuptohemi, deti nuk është si ai njeriu tinëzar që hedh gurin dhe fsheh dorën. Do të ishte një krahasim shumë i padrejtë po ta bënim. I pamerituar. Ndofta duhet gjetur një shprehje më e qëlluar dhe gjuha nuk është e varfër për të na dhënë të tilla pa fund. Le ta quajmë se deti është si ata njerëzit me shpirt të lartë që e bëjnë të mirën dhe nuk ndihen për të, nuk e thonë, nuk e vënë në dukje, e bëjnë të mirën dhe e hedhin në det.

Bëje të mirën dhe hidhe në det!

Diku do të shkojë si ajo shishja që përmban një letër me një mesazh urgjent brenda e që e hedhin në det, ia besojnë detit, të sigurt se ky postier gjigand e besnik diku do ta çojë.

Bëje të mirën dhe hidhe në det!
Jo hidh gurin dhe fshih dorën!

Deti Adriatik ka ushtruar një fuqi të madhe disavjeçare për të gërryer, tretur, rrudhur, korrozuar, ngrënë vetë bazat e diktaturës dhe të autoritarizmit. Ky është një mendim që nuk më hiqet nga mendja që prej disa dekadash. Më vjen shpesh në përfytyrim dhe në kujtesë sa herë ndodhem në bregun e sheshtë dhe në gjirin e butë të plazhit të Durrësit – lëpirë me ëmbëlsi nga valët e shtruara të detit Adriatik.

Gji i butë që nuk të tremb as me pafundësinë e lemerishme të një oqeani me peshkaqenë dhe që duket sikur do të ta derdhë në kokë të gjithë masën e ujit që përmban, që nuk të kall datën as me brigje të thepisura greminash mbi det që të tmerrojnë me lartësinë e tyre mahnitëse aq sa duket se kanë fuqi të të thithin në thellësinë e tyre ajrore e të të gremisin pa mëshirë mbi det.

Plazhi i Durrësit është i butë.

Ka fuqi të butë – gjëja më kontradiktore që mund të bëhet në botë.

Aty në breg të detit ka qenë braktisur një anije të vogël që dikur dikush donte ta përdorte si lokal kafeneje, por që nuk mundi ta vazhdonte gjatë ndërmarrjen e tij. Shihja valët që përplaseshin prej vitesh në anët e kësaj anijeje dhe që pak e nga pak e kanë gërryer, ndryshkur e më në fund e kanë brimosur duke futur ujë në të.

Ashtu i futi ujë edhe shtetit totalitar pikërisht deti Adriatik.

E ndjej se lexuesi duke më ndjekur ndofta ka filluar të mërzitet dhe të pyesë veten: Përse nuk e nxjerr ku e ke hallin? Ç’lidhje ka butësia e fuqishme e ujit me degradimin, shthurjen, shpërbërjen e regjimit totalitar?

Prandaj po nxitoj ta shpjegoj arsyetimin tim.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Tiranë erdhën nga zonat periferike të vendit, nga krahinat kodrinore dhe malore, përgjithësisht të Jugut, me dhjetëra e qindra mijë vetë. Shumica me origjinë nga fshati. Pasi kishin përballur fashizmin, nazizmin dhe bashkëpunëtorët e tyre, ishin drejtuar përkah Tiranës dhe qendrave të tjera të rëndësishme të vendit, ca për të gjetur me babëzi ndonjë copëz më të mirë jetese, ca me energjinë e rrëmbyer dhe gati të marrë për të ngjitur shkallët hierarkike të administratës së shtetit, ca me frymëzimin patologjik për të ndërtuar një shoqëri të ndryshme nga e para dhe ca të tjerë me krenarinë fodulle të çlirimtarit.

Ndërtimi i disa objekteve industriale të ofruara nga shteti sovjetik hapi mundësinë për të pasur nevojë për krahë pune, çka bëri që me mijëra banorë të zonave rurale të zbrisnin në qytetet e ultësirës bregdetare për të filluar punën me tre turne atje.

Të gjithë këta njerëz që ndofta kurrë nuk e kishin parë detin dukeshin fillimisht entuziastë dhe nuk mungonin ta mbështesnin regjimin e ri politik, pa e ditur se pas disa dekadash e gjitha do të dilte një aventurë e dështuar.

Ç’lidhje ka deti Adriatik me gjithë këtë proces sa demografik aq edhe politik ?

Ai i ftonte të gjitha këto masa popullsie drejt vetes, drejt ujit, drejt, rërës, drejt diellit, duke i mësuar pak e nga pak me vlera të tjera që nuk ishin më as ato që mbështeste dhe mbështetej shteti totalitar, as ato zakone, mendësi dhe mënyra jetese që banorët e ardhur rishtazi në këto zona kishin lënë në trevat ku ishin lindur dhe rritur.

Mbi të gjitha, zakonet konservatore të fshatit, veshjet e rënda, struktura hierarkike familjare e mbështetur në sundimin pa kufij të mashkullit, mbivendosja e strukturës klanore mbi jetën e lirë të individit, izolimi i fshatrave prej njëri-tjetrit në dëm të krijimit të një opinioni publik të përgjithshëm, mungesa e çdo dëfrimi në publik, ndrojtja për të treguar hiret e trupit, ndarja e hapësirave të frekuentuara nga femrat prej atyre të frekuentuara nga meshkujt, hyjnizimi punës, i sakrificës njerëzore, kundër çdo të drejte pushimi përgjatë punëve të rënda në bujqësi, përbënin disa nga ato elemente jetese që njerëzit kishin lënë në fshatrat e tyre.

Kishin lënë një jetë që moralisht i njihte si të shenjta këto zakone, por, pasi kishin ardhur në qytet, kishin gjetur të njëjtat modele sjelljeje, por tanimë të shprehura politikisht dhe të mbrojtura me autoritarizëm prej pushtetit. Morali i dikurshëm kishte gjetur te politika e re, ashtu sikurse gjen tenxherja kapakun, plotësimin e vet të përkryer.

Shteti i ri ishte ndërtuar mbi bazat e një hierarkie, por kësaj radhe politike. Disa sundonin dhe të tjerët ishin të sunduar. Qejfi është degjenerues, kurse puna është gjithçka, pa punë njeriu do të kishte qenë ende majmun. Cilado copëz sado e vogël e zbulimit të trupit do të quhej si element degjenerues për njeriun.

Martesa, kusht i domosdoshëm për çfarëdo lidhje erotike midis një burri e një gruaje. Në grumbullimet masive përpara dyqaneve të boshatisura dy radhë të veçuara, njëra për gra dhe tjetra për burra. Ku është radha e grave këtu? – më kumbon në vesh një thirrje e pashpresë.

Kolektivi është gjithçka, ndërsa individi jashtë tij nuk do të trajtohej veçse si një qenie egoiste që ndjek vetëm udhët e këqija të vesit dhe të mëkatit.

Deti Adriatik, duke i ftuar njerëzit të vinin drejt tij, i treti në ujët e vet të kripur duke i liberalizuar zakonet rurale, duke e veçuar katërcipërisht moralin e ri liberal që po lindte aty buzë ujit dhe moralin politik që pushteti totalitar e mbante të paprekur, konservator, sikurse të ishte ende aty në majë të malit.

Kuptohet, deti nuk e bëri veprën e tij në kohën prej një jete të një brezi të vetëm. E kreu punën e vet për tri breza që erdhën njëri pas tjetrit. Nga gjyshi që sillte ndërmend maliherin e vjetër sapo dikush i përmendte armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm që kërkojnë të degjenerojnë rininë, te babai që nisi të fliste gjithnjë e më pak në shtëpi, e deri te nipi që i mbante sytë nga deti dhe ekrani i televizionit.

Deti Adriatik aty në plazhin e butë të Durrësit nisi të ndërfusë idenë praktike të një jetese me të drejta të barabarta pikërisht brenda një shoqërie të mbështetur në pabarazinë politike.

Dhjetëra mijëra të rinj dhe të reja, ndofta një «ushtri» prej më shumë se njëqindmijë vetësh gjatë ditëve të nxehta të verës, veçanërisht të dielave, braktisin pabarazitë politike mbi të cilat ishte ndërtuar jeta mbi tokë dhe futeshin në ujin e kaltër të detit. Në det të gjithë janë të barabartë.

E keni vënë re? Trupat që hyjnë në det dalëngadalë mbulohen nga i njëjti ujë i kripur, me të njëjtin densitet kripe. Gjithçka që bart mbi vete njeriu tretet në një hapësirë uniforme dhe të barabartë uji sikur të kishte qenë një mjedis shoqëror ku dallimet shuhen përpara një magme të stërmadhe ligjore që nuk njeh privilegje.

Mbi të gjitha, deti nuk i njeh aftësitë false, meritat e ndërtuara mbi mashtrim apo avantazhet e përftuara me miqësi. Arbitër i rreptë deti. Ikën më larg drejt thellësive të tij, ai që di më mirë not. Hierarkitë sociale dhe politike përmbyseshin këtu shumë shpesh.

Ndodhnin revolucionet e ujit.

Dikush me të drejta politike të cunguara për shkak të mosparjes me sy të mirë nga ana e pushtetit, mund të notonte shumë më mirë se një tjetër që e shihte prej vitesh veten në fotografi mbi tabelat e emulacionit socialist. Politika këtu nuk e ndihmonte dot atë që nuk dinte not.

Kush nuk noton mbytet.
Drejtësi e pamëshirshme.

Pabarazitë politike dhe privilegjet sociale të vendosura me ligj nga shteti liheshin mënjanë si rroba me erë djerse, si ndërresa të përdorura, braktiseshin në grumbull aty në kabinat e plazhit. Pabarazia qëndronte ndryrë në dhoma të errëta, e braktisur prej njerëzve që dilnin gjysmëlakuriq, me rroba banje, në plazh, aty buzë detit. Tashmë dallimet ishin pothuajse vetëm natyrore në këtë masë njerëzish që freskoheshin buzë ujit pa u ndruajtur të nxirrnin format e trupit të tyre përpara syve të botës. Sikur ndonjëri prej tyre të kishte guxuar të dilte vetëm me mbathje të ngushta, si ato të plazhit, në rrugët e qytetit, do të ishte arrestuar menjëherë dhe dënuar nga gjykatat e kohës. Kurse aty buzë detit ligji e rreptë i qytetit, i tokës, ishte zbutur, më mirë të them, ishte dorëzuar.

Për më tepër, trupi më i bukur, ai që tërhiqte admirimin e të gjithëve, nuk ishte medoemos ai i një të besuari politikisht. Deti Adriatik nuk pranonte hierarki të huaja për të. Buzë tij, liderët kishin ndërruar pozicion. Jo medoemos ata që sundonin në qytete e fshatra ishin edhe sundimtarët e turmës në breg të detit.

Një shoqëri që nuk lejonte minifundet, ishte e detyruar përpara fuqisë së butë të detit të pranonte gjysmëlakuriqësinë femërore, mbuluar vetëm me rroba banje, shpesh herë tepër të brishta, të shfaqur paturpësisht atje mbi rërën e plazhit, në sy të të gjithëve. Gjithçka ishte transparente. Asgjë e fshehur nga syri i opinionit publik dhe deri në atë masë sa asnjë media në një shoqëri demokratike nuk mund ta realizojë.

Deti tregonte absurditetin e ligjit dhe të normave të kohës. Ç’të keqe kish kur njeriu tregonte natyrshëm, me masë, disa pjesë të trupit ndërkohë që bënte jetën e tij në qytete a në fshatra, nëse kur kjo ndodhte buzë detit, asgjë e hatashme apo e shëmtuar nuk shkaktohej?

Në kujtesë më qëndron prej vitesh pyetja naive e një shoku të fëmijërisë: «Përse nuk më bëjnë përshtypje kofshët e zhveshura të gocave, mbuluar me breçka të vogla plazhi, dhe përkundrazi, s’mund t’i shqis dot sytë nga mishi i bardhë sapo ndonjëra prej tyre në oborr të shkollës ngre pakëz përparësen mbi gjunjë?» I shkreti! E përsëriste këtë pyetje, të njëjtën, sa herë vinte stina e verës. Harronte se po atë na e kishte bërë edhe ditën e parë të sezonit të kaluar të plazhit.

Bregu i detit në Durrës ishte vetëshpallur një hapësirë lirie. Ishte vetë-njohur si zonë ku një pjesë ligjesh, kërkesash, paragrafësh, normash, nuk kishin më asnjë fuqi. Zonat e para ku fillon të instalohet pra një kulturë dhe sjellje e lirë, një hapësirë e çliruar nga normat e rrepta morale dhe ligjore të kohës, nisin të bëhet plazhi i butë i Adriatikut.

Jo se ujët e detit nuk e ka gjithandej këtë fuqi misterioze të tretjes së pamëshirshme të diktaturave dhe të edukatës autoritare. Ujët gjithandej ka të njëjtat virtyte shpëlarëse. Pa dyshim.

Puna ishte se në ato kohë kur transporti publik ishte kaq i parehatshëm, i ngadaltë, i rrallë, kur treni mezi arrinte pas një ore nga Tirana në Durrës, megjithëse mes tyre qëndronte veç një distancë prej tridhjetë kilometrash, të dielave, rinia tiranase mund të frekuentonte vetëm plazhet e Durrësit dhe nuk shkonte dot më tej.

Atje, ajo linte të gjitha energjitë e tepërta, yndyrnat e gjakut, sheqernat e dëmshëm, lëngjet e helmëta të mëlçisë, gjithçka, pra, që rrit nervozitetin e njeriut për shkak se vështirëson qarkullimin e gjakut dhe ushqimin si duhet të qelizave të trurit; shfrynte njeriu në lojë, në not, në ecje, gjithçka që në psikikën dhe fizikun e tij, kur janë me tepricë, shndërrohen në marri, çmenduri, depresion; dhe, pastaj, ashtu i lodhur e ngopur me lakuriqësi, kthehej në qytet me libido të shuar, të harxhuar atje buzë detit.

Mes një bote spartane, të rreptë, të ashpër, aspak lajkatare, shpesh herë mizore, të mbrujtur me kulturën e dënimit që pretendonte se individi duhet medoemos të sakrifikohet për kolektivin, nisi të futet kultura e butë e week-end-eve.

Pas një jave të lodhshme dhe rraskapitëse, deti ofrohej bujarisht për të kaluar atje një të diel larg botës së shtrëngimeve dhe të detyrimit. Nuk ishte një ikje e thjeshtë nga vendi i banimit drejt detit. Ishte shpikja e një kategorie të re sociale që bota shqiptare nuk e kishte njohur deri atëherë.
Bëhej fjalë për një week-end jashtë qytetit.

Më shumë sesa kaq, flitej për një evazion të vërtetë, për një braktisje të hapësirave të ligjeve të rrepta të gjykatave drejt një bote që shkonte atje ku kishte liri. Rinia shqiptare kish filluar të mësohej me idenë e trenit, të eksodit, të ikjes së natyrshme drejt një bote të hapur. Ato kabina të vogla, të mjera, të drunjta plazhi ishin të gëzueshme megjithatë sepse aty po ngjizej ideja e një rezidence të dytë shtëpiake.

Ishte si një lojë fëmijësh.

Një lojë prej gjasmeje.

Por, njerëzit po mësoheshin, në mos me luksin se për luksin e vërtetë as që bëhej fjalë, por së paku me lojën e luksit, me simbolikën e luksit, me idenë se mund të kenë më shumë se një shtëpi.

Gjindja po shterritorializohej.

Nuk mbetej e lidhur me lagjen, me frontin, me një banesë të vetme, me fiksimin e përjetshëm në të njëjtin vend. Njerëzit po mësoheshin buzë detit me idenë se shtëpia mund të ndërrohet sipas qejfit nëse ke parà. Ishte mbijetesa e një bote tregu në një univers shtetëzimesh dhe planifikimi të rreptë. Vetëm pushimet nuk mund të t’i planifikonte shteti. Sivjet do të shkoj në Durrës, vitin tjetër do të shkoj në Pogradec. Vitin e kaluar, përkundrazi, isha në Dardhë.

Përse e kanë braktisur shumë njerëz tekanjozë plazhin e Durrësit? Kam edhe për këtë një shpjegim brenda idesë sime. Ata kanë turp të kthehen atje ku kanë mësuar më së pari lirinë. Si ata adoleshentët që e konsiderojnë turp të kthehen në vendet ku ngrihen ndërtesat e kopshteve të fëmijëve brenda të cilave kanë qarë si qaramanë, kanë qeshur si të marrë, janë rrëzuar naivisht, kanë adhuruar si budallenj edukatoret me përparëse të bardha. Por, po këta adoleshentë, kur rriten edhe pak, nuk kanë më turp as nga fëmijëria e tyre dhe as të shkojnë e të çmallen në vendet ku mësuan të hedhin hapat e para drejt lirisë së ekzistencës.

Sidoqoftë largimi i tyre prej efekteve çudibërëse të detit nuk mund të bëjë tjetër hëpërhë veçse ta rrisë shkallën e energjisë shkatërruese të psikikës njerëzore, ta shtojë nivelin e agresivitetit midis njerëzve dhe ta bëjë qytetërimin të ashpër, ashtu sikurse ashpërsohet dhe thahet një tokë e paujitur.