Mesazhet e klerikëve: Tërmeti zbuloi varfërinë, shqiptarët kanë humbur shpresën

Njerëzit në kishat dhe katedralet në të gjithë vendin këtë krishtlindje që vjen pas tërmetit të 26 nëntorit ishin më të shumtë dhe mesazhet e klerikëve ishin të forta drejt autoriteteve të vendit. Ipeshkvi i Lezhës tha se Tërmeti zbuloi varfërinë dhe korrupsionin, ndërsa Arqipeshvki i Shkodrës theksoi se shqiptarët po humbin shpresën, ndaj kërkuan reagim.

Me kujtimet dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit ende të freskëta, banorët e zonave më të prekura e kërkojnë shpresën dhe qetësinë në Shtëpinë e Zotit.

Katedralja e Lezhës, një prej qarqeve më të prekura nuk kishte vend për të gjithë në meshën e mesnatës.

Para mijëra besimtarëve, klerikët katolikë fshikulluan natën e krishtlindjes, autoritetet e shtetit.

I ashpër ishte Ipeshkvi i Lezhës, i cili tha se se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit.

“Është detyra e njeriut veçanërisht e atyre që kanë përgjegjësi publike të kujdesen për të në të gjithë përmasën e tij. Këto fjalë marrin peshe të veçantë veçanërisht pas asaj që ndodhi për shkak të tërmetit që solli vdekje dhe shkatërrim. Një tërmet që ka zbuluar Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit sepse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim nuk do të kishte nëse ndërtesat e shembura do të ishin ndërtuar, duke ndjekur parametrat e sigurisë.

Këtu mbizotëron interesi personal, korrupsioni dhe sjellja e paligjshme që rrezikon jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo krishtlindje të zgjojë ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha të kërkojnë falje ato që shkaktojnë këto fatkeqësi sepse janë të korruptuar dhe nuk interesohen për të mirën e njerëzve” tha Vitale

Për Arqipeshvin e dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra drama është se shumica e shqiptarëve kanë humbur shpresën dhe po lënë vendin.

“Jam i bindur se pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë humbur shpresën. Shumë janë duke braktisur Shqipërinë, me inatin ndaj atdheut mund të themi”

Duke vënë gishtin mbi plagët e shoqërisë, nga dhuna në familje deri tek korrupsioni, Kisha Katolike kërkoi angazhimin e të gjithëve për të luftuar fenomenet negative dhe për të rikthyer shpresën.

“Kush ka më shumë përgjegjësi atij i kërkohet më shumë”

Mijëra besimtarë në të gjithë vendin mbushën në mesnatë kishat katolike, dhe ato ortodokse në orët e para të mëngjesit.

Prej aty uruan dhe u lutën për ditë më të paqta dhe të lumtura! /OraTv

mesha