Mediat botërore kryqëzojnë politikën e ndërtimit të pallateve: “Shto miell e shto ujë”…

41

Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, mediat boterore kryqezojne politiken e ndertimit te pallateve “shto miell e shto uje, dmth shto kate shto shtesa, autor kryesor te te ciles jane binomi Rama-Dako!

Ato gjithashtu shkruajne se ekipet shqiptare te kerkim shpetimit perveç duarve dhe lopatave nuk dispononin asnje mjet tjeter.

Ketu me poshte keni artikullin e plote. sb

Ironia e “Il Fatto Quotidiano”: Pallatet në Shqipëri sipas parimit “shto ujë, shto miell”

Gazeta e njohur italiane “Il Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një reportazh të gjatë tërmetit katastrofik që ndodhi në Shqipëri, por ajo nuk i kursen kritikat për autoritetet dhe mënyrën si është ndërtuar shteti ynë. Që në titullin e shkrimit thuhet se tërmeti në Shqipëri nxori në pah abuzivizmin dhe korrupsionin me ndërtime pa leje dhe ku mungojnë hartat kadastrale të ndërtesave. Shkrimi nis me ironinë e shprehjes së famshme shqiptare “Shto ujë, shto miell” të cilën gazetari italian Pierfrancesco Curzi e ka përdorur në shqip.

“Shto ujë shto miell. Për të përgatitur byrekun, të shijshmin gatim tipik të Shqipërisë dhe të Ballkanit (çdo vend thotë se e bën më mirë se të tjerët, njëlloj si edhe me bakllavanë) sasia e ujit dhe miellit është e përcaktuar sepse nëse hedh më shumë ka pasoja.

Thënia shqiptare përkthen në perfeksion mënyrën se si janë realizuar pjesa më e madhe e ndërtesave në Vendin e Shqiponjave pas rënies së komunizmit në dhjetor 1990. Popullsi të tëra janë zhvendosur nga fshatrat dhe malet e veriut dhe juglindjes duke iu bashkuar periferive të dy qendrave më të mëdha: Durrësit dhe portit të tij dhe mbi të gjitha kryeqytetit, Tiranës” – thuhet në shkrim që më pas bën një histori të njohur për ne shqiptarët për ndërtimet pa leje.

“Sot Tirana është afërsisht një milion banorë, një e treta e popullsisë shqiptare, një vend që shtrihet në 28 mijë kilometra katrorë (jo shumë më shumë se Siçilia). Që nga fillimi i viteve ’90 territori i kryeqytetit u zgjerua duke marrë hapësirë me një periferi të çrregullt dhe obsesive, që duke e parë dukej edhe estetikisht e shëmtuar. Bërthama e ndërtesave deri në 15 kate të larta, pa asnjë urbanizim, të dizajnuar nga inxhinierë dhe arkitektë me pak prirje drejt estetikës.

Të tjerët shtëpinë e ndërtojnë hap pas hapi. Marrim si shembull ndërtesën e shembur larg shumë pak qendrës së Durrësit dhe e cila varrosi nën të 9 vetë. Shtesa të pamatur e kateve nga 1 në 4 paralajmëroi një fat jo edhe aq të paimagjinueshëm. Nën peshën e 4 kateve të betonit, ishin themelet që tërhoqën poshtë të gjitha banesat drejt garazhit” – thuhet në shkrimin e gjatë të “Il Fatto Quotidiano” që më pas flet për mangësitë e emergjencave civile në Shqipëri.

“Edhe përpjekjet për ndihmë kanë nxjerrë në pah të meta organizative mbresëlënëse që po të mos ishte për ndërhyrjen e Brigadës së Zjarrit, Mbrojtjes Civile, Kryqit të Kuq nga gjysma e Evropës Perëndimore, me siguri në Shqipëri do të ishte gërmuar me dorë ose me lopata.

“Zakonisht, përpara se të fillojmë një ndërhyrje për të rikuperuar njerëzit nga rrënojat – shpjegon një prej policëve italianë i angazhuar për 3 ditë në Durrës – teknikët tanë kontaktojnë ata të bashkive për të marrë dokumentet kadastralë të ndërtesave të shembura. Të gjitha këto duhen për të marrë një ide se si është bërë shtëpia, ku mund të gjenden njerëzit etj.

Por ata u përgjigjën se nuk kanë dokumente kadastrale për ndërtesën dhe se duhet të mbështeteshim vetëm në idetë se ku mund të ishin të mbijetuarit” – citon gazeta që shton: “Sot të vdekurit po vajtojnë, por tragjedia që po ndodh është shembulli klasik i ndërtimit pa kriter dhe pa kontroll. Dy hotelet që u rrëzuan në Golem, përgjatë bregdetit të Durrësit, fatmirësisht ishin gjysmë të zbrazët.

“Viktimat do të ishin me dhjetëra në mes të verës. Unë e di historinë e atyre hoteleve, veçanërisht të Villa Palma, dhe këmbënguljen me çdo kusht të pronarëve për ta kthyer nga një ndërtesë banimi normale në një hotel të madh, jashtë rregullave.

Askush nuk kontrolloi, askush nuk bëri veto dhe pasojat ishin të dhimbshme”, – thotë Irvi Hyka, llogaritare dhe profesore në Universitetin e Durrësit. Gazeta italiane shkruan se Shqipëria është një vend i ri, me një moshë mesatare shumë të ulët, të pasqyruar dhe në një rritje të dukshme ekonomike. Pikërisht ky lulëzim i “mundësive” ka tërhequr shumë italianë që kërkojnë që të ndryshojnë jetën e tyre.

Paolo Picci para se të linte Bel Paese për t’u shpërngulur në Tiranë, u martua me një vajzë shqiptare të njohur në Itali dhe në vitin 2013 u transferua në Ballkan.

“Miti i Shqipërisë si një tokë e mundësive të lira është i gabuar. Shumë bashkëkombës kanë hyrë me këtë ide dhe kanë dalë keq. Një shembull është kanali televiziv Agon Channel, i hapur nga sipërmarrësi italian Francesco Becchetti në verën e 2015 dhe u mbyll 15 muaj më vonë. Italianët, duhet të kuptojnë që Shqipëria është një vend kompleks , ku nuk ka struktura sociale, bashkim, kontratat janë të paqëndrueshme.

Kujdesi shëndetësor është një privilegj për ata që kanë. Nëse keni nevojë për një shtrat spitalor dhe kujdes cilësor duhet të paguani dhe jo të gjithë mund ta përballojnë. Por është gjithashtu një vend mikpritës, i sigurt, ku vandalizmi dhe krimi nuk ekzistojnë, edhe nëse nuk ka respekt për qytetarinë dhe gjen mbeturina në parkim. Në 13 vjet kam parë që Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht në nivelin e infrastrukturës, ndërtohen rrugë të reja, janë krijuar porte dhe aeroporte të reja” – thotë ai. ©LAPSI.al