Me Edi Ramën, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn nuk rindërtohet vendi veçse ripërsëritet tragjedia

Nga Elona CALLI

Tërmeti shndërron banesa, por jo karaktere!

Tërmeti i rëndë që goditi Shqipërinë, tjetërsoi shumë banesa dhe njëkohësisht shumë zona të Shqipërisë.

Ky tërmet i paralajmëruar në vetë të parë nga Presidenti i vendit, asokohe u trajtua si një lajthitje e këtij të fundit.

Në ditët e nxehta të korrikut zonja Olta Xhçcka, përmes një shkrese zyrtare ndër të tjera në ligjëratë të drejtë i pohon presidentit të vendit: Unë nuk kam asnjë dyshim se Shqipëria është sot më e përgatitur, për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 viteve të fundit.

Korriku do të kalonte dhe do të gjendeshim në datën 21 shtator, në paradhomën e një tragjedie të paralajmëruar.

Shumë banesa më 21 shtator pësuan dëmtime. Në Thumanë familjes Cuka asokohe iu tha se banesa e tyre nuk kishte pësuar asnjë dëmtim në strukturë dhe mund të jetonin brenda saj të qetë.

Familja Cuka në tërmetin e 26 nëntorit humbi dy pjesëtarë të saj. Vetëm babai dhe vajza i mbijetuan tërmetit. Nënë e bir vdiqën nën rrënoja.

Në një intervistë për Klan Kosovën vajza e familjes thotë: Unë këtë gjë dua ta coj deri në fund. Këtë padrejtësi unë dua ta coj deri në fund që ato persona që kanë qënë aty dhe kanë thënë që pallati ka qënë i banueshëm duhet të ndëshkohen.”

Kryeminstri e etiketon shpesh tërmetin si padrejtësi të natyrës. Ndërkohë para se të jetë një padrejtësi e natyrës është një papërgjeshmëri e mirëfilltë e qeverisjes dhe organeve që kanë përgjegjësi për rastin në fjalë.

Familjen Cuka nuk e tradhtoi natyra, por shteti.

E teksa njerëzit gjenden në qiell të hapur, pa e ditur se çfarë do të bëhet me ta, Kryeministri paradoksalisht gjen kohën për të shkëmbyer batuta edhe në raste ngushëllimi.
Shqiptarët u gjendën pranë njëri-tjetrit në këtë tragjedi.

Kontributin e tyre monetar, nuk ia besuan asnjëherë kontos së qeverisë. Forca e individit doli mbi shtetin.

Shteti i Rilindjes, ose më saktë ai grupim njerëzish që sillen lartë e poshtë me fotografë pas vetes, dëshmoi se në rast emergjencash nuk dinte të merrte asnjë përgjegjësi, përveçse të fotografonte tragjedinë.

Atë që duhet të bënte shteti e bënë shqiptarët.
Kryeministri mblodhi rreth vetes në një tryezë të rrumbullakët individë, që përmes aktivitetit të tyre, kishin arritur të mbillnin besimin tek shqiptarët dhe të mblidhinin kontributin e tyre monetar për të prekurit nga tërmeti.

Lindin pyetjet- A mund të ulesh në një tryezë me Edi Ramën për të rimëkëmbur kombin?

Nëse shqiptarët do të besonin në vullnetin e mirë të Edi Ramës për rindërtim pse nuk ia besuan atij kontributin e tyre monetar

A mund ta zhvendosësh besimin e njerëzve në të njëjtën tryezë me Edi Ramën, kur ishin vetë njerëzit që nuk i besuan atij?

Tërmeti shndërron banesa, por jo karaktere!
Edi Rama është po ai që ka qenë gjatë këtyre gjashtë viteve. Gjashtë vitet e Rilindjes përmblidhen vetëm në një fjalë- Plaçkitje-.

Çdo individ që ulet pranë Ramës, duhet të risjellë ndërmend qeverisjen e tij për plot gjashtë vite, skandalet e tij për plot gjashtë vite, çnjerëzoren e tij për plot gjashtë vite dhe mbi të gjitha duhet të risjellë ndërmend faktin që mbi vete ka besimin e shumë shqiptarëve; besim i cili duhet respektuar dhe nuk duhet thyer.

Post Scriptum- Elvis Naçi, Marin Mema dhe kushdo tjetër që është ulur pranë Kryeministrit duhet të kuptojnë se me emra të tillë si Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Edi Rama, nuk rindërtohet kombi veçse ripërsëritet tragjedia.