Makina plot me kanabis nga Tirana drejt Malit të Zi

Policia e Lezhës bëri të ditur se ka arritur të bllokojë një mjet tip Benz, të mbushur me kanabis. Në total janë sekuestruar 52 kg dhe është arrestuar pronari i makinës.

Por makina e ngarkuar me kanabis, shoqërohej nga një tjetër mjet, i cili i paraprinte për të informuar në rast problemi. Policia thotë se ka arritur të ndalojë edhe dy personat që ishin në mjetin paraprijës, por një i tretë ka arritur të largohet. Ai është shpallur në kërkim.

NJOFTIMI

Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative se në një automjet po transportohej lëndë narkotike nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim trafikimin nëpërmjet kufirit jeshil drejt malit të Zi, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Tranzit”, ku në afërsi të një karburanti në fshatin Tresh, Lezhë, u gjet dhe bllokua mjeti tip “Benz”.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sendiljen e pasme dhe në bagazh 52 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se mjeti tip “Benz” që transportonte lëndën narkotike ishte në pronësi të shtetasit A. K. dhe paraprihej nga një mjet tjetër, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të punonjësve të Policisë.

Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë ndalimin e shtetasit I. R., 26 vjeç dhe E. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në mjetin paraprijës, si dhe shpalljen në kërkim të shtetasit A. K., 29 vjeç, banues në Shkodër dhe vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas, kur ka kontatuar që shërbimet e Policisë kanë bllokuar automjetin që i paraprinte, ka mbyllur automjetin në afërsi të një karburanti dhe është larguar me shpejtësi.

Policia, nën drejtim e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Tiranë e Shkodër po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.