Krokodilët e Kuq…

Nga Erl KODRA

Unë e shoh kështu skenën;

Një vend i vogël, i rrënuar nga terrori, papritur u gjend i lirë. I lirë, por i shastisur nga traumat. Qeniet e dala nga ferri komunist qenë të trishta, të dobëta, të rrënueme. Murtaja e kuqe ua kishte pre krahët. Ata vërteteshin në erën e lirisë, në përpjekje për të mbledhur jetët e shkyeme. Të mjerëve, u mjaftonte liria.

Kështu vazhdoi rrugëtimi për tre dekada, në kërkim të melhemit për plagët e thella. Plagë që duket se nuk do të mbyllen kurrë.

Ingranazhet, do meshkuj shkurtabiqë si dreqnit e kuq, pasi kishin blue eshtna shqiptarësh, përkohësisht u tërhoqën në hije nga frika e hakmarrjes. Ma vonë u ripozicionuen në pikat prej kah kontrollohet gjithçka; paraja dhe pushteti. Sepse ata nuk mund ta konceptojnë jetën e virtytit. E pamundur. Ata janë të mësuar me erën e gjakut, mundësisht gjak shqiptarësh.

Këtu vjen Agron Tufa. Në dukje një djalë i qetë, por idhnak që nuk ban kompromise. Flet për Kampin e Tepelenës, për disa qindra fëmijë shqiptarësh ndaj të cilëve u krye gjenocid politik. Për të cilin në shkurt të vitit 1955, Qeveria e SHBA-ve paraqet një Raport në OKB. Ingranazhet zbythen, nervozohen, lëkunden. Agroni vazhdon qetësisht të nxjerrë dokumenta, dëshmi, memuare. Libra, sidomos libra me fakte historike, me emra vrasësish pa gjak.

Ploja është e madhe, e thellë, e shtrirë në kohë dhe hapësirë për 50 vjet me rradhë. Familje të cungueme, burra të gjymtuem, pa varre, pa shenja, me kocka të blueme nga ingranazhet. Të vdekun nëpër këneta, kampe pune, miniera. Të vdekur nga uria, sëmundjet ngjitëse. Të grabitur, të shqyer për së gjalli.

Agron Tufa nuk ndalet, kërkon të shkojë deri në fund. I identifikon ingranazhet që shkërdhenin vetveten për diktatorin bukurosh. Sepse ata ekzistojnë falë hireve të diktatorit, gjesteve dhe aromës.

Ingranazhet e kuptojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si habitatin e tyre, si një pellg ku mund të gjuajn lirisht trupa njerëzorë. Ata thonë se “këto janë vepra madhështore të Partisë, që luftoi me armiqtë e popullit (sic!) dhe Udhëheqësit të Madh”. Kështu i justifikojnë vrasjet kanibale. Vrasjet masive si Masakra e Tivarit. Vrasjet nëpër katundet dhe qytetet e Shqipërisë. Sepse “pellgun” e donin për vete, të gjithin.

“Të drejtën” për të vrarë e vlerësojnë si “të drejtë natyrale”, njësoj si krokodili që çdo gjë që kalon aty pari, e kullufitë pa mëdyshje dhe pa brerje ndërgjegje. Habitat i çuditshëm Shqipëria me këtë rracë Krokodilash të Kuq.

Spartak Braho është Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin i Shqipërisë. Tek ky Krokodil plak varet Siguria jonë Kombëtare. Ky është ai që e përndjek Agron Tufën. Fyen, shanë, shpifë, denigron, frymëzon krokodilë të tjerë. Të tjerë krokodilë dhe bijë krokodilash vazhdojnë ritualin makabër kundër një shkrimtari, poeti, studiusi të letërsisë, pedagogu dhe publicisti, për të vetmen arsye, sepse ai po bën punën e ngarkuar me Ligj.

Gazeta Dita, organ qëndror i Krokodilëve të Kuq, prej më shumë se një viti hapet me tituj poshtërues dhe denigrues kundër Agron Tufës.

Agron Tufa, para se të jetë një zyrtarë i shtetit shqiptar, para se të jetë poet dhe shkrimtar, është baba i pesë fëmijëve. Por Krokodilët e Kuq nuk dinë të ndalen, ata vazhdojnë ta kërcënojnë dhe denigrojnë njëkohësisht babain e pesë fëmijëve Agron Tufa.

Spartak Braho dhe Sabit Brokaj, çuditërisht thonë të njëjtën fjali, me pikë e me presje, si një mesazh përforcues, si një thirrje për sojin e tyre për të vrarë shkrimtarin Agron Tufa.

“Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet” – shprehen ata fjalë për fjalë, duke shfryrë inatin që u iku nga dora gjahu i tyre i parapëlqyer.

Ka diçka thelbësore në këtë luftë të ndyrë, luftë e cila nuk po kursen asgjë dhe askënd, përfshirë edhe fëmijët e Agron Tufës. Vitet e fundit Krokodilët e Kuq supozojnë se rilindi koha e tyre. Ata shohin të rimëshiruar kurmin e enverizimit, frymën e tij, shprehjet dhe gjestet. Dogmat i përdorin si njëherë e një kohë, njësoj si salcat pikante për të përmirësuar shijen e gjakut. Krokodilët kërkojnë përsëri gjak. Gjakun e njeriut që po ua demontonte trikun me Luftën Nacionalçlirimtare.

Deri tani Agron Tufa ka zbuluar vetëm majën e krimeve të gjonocidistëve komunist. Me emra, data dhe dokumenta. Gjykatës, Prokurorë dhe Oficerë të Sigurimit të Shtetit. Vrasës reçidivistë të pamëshirë. Vrasësh grashë dhe fëmijësh. Edhe djemsh dhe burrash, sigurisht. Vrasës të qenieve njerëzore, në linja gjaku. Për të shuar një klasë shoqërore, një shtresë, gjysmën e shoqërisë. Për të shtrirë përtokë e përjetë, një komb.

Ky është “faji” i vetëm i Agron Tufës. Për këtë “faj” Agroni u dënua me vdekje.

Vendimin e dha Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë, ish gjykatësi i Enver Hoxhës, krokodili Spartak Braho. Ekzekutimi u ngarkohet personave “anonim”.

Shënim: Me lejen e Agron Tufës, në kohën e duhur, do të bëhen publike prova të eksplicite për rrezikun që i kanoset shkrimtarit.

79720838 2548523208700695 8516671357692411904 n

75407678 2548523428700673 1690521195247566848 n