Korrupsioni me sterilizimin/ Kirurgu i njohur: Kosto e një seti 2.4 euro, koncesionarit i paguajmë 190 euro

Përpara se dosja e ‘sterilizimit’ të mbërrinte te SPAK, kur kjo strukturë e drejtësisë ende nuk ishte ngritur, indicjet e para dyshuese erdhën nga doktori Artan Koni, i cili ndihmoi edhe Nismën Thurje për ta çuar këtë kallëzim të parë drejt SPAK.

Artan Koni ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2, dha më shumë detaje se si nisën dyshimet e para. ‘Dyshimet e para kanë nisur në fund të vitit 2018, kur doli lajmi se qeveria ka paguar 3.6 mln euro më shumë se planifikimi për këtë koncesion.

Pse ndodhi kështu?

Duke u nisur nga kjo ne hulumtuar për kostot reale të sterilizimit dhe në fund të këtyre llogarive, ne na doli se kostot totale për sterilizimin e një seti është 2.4 euro, ndërsa ne i japim koncesionarit mesatarisht 190 euro.

Supozojmë se ne e kemi bërë llogarinë gabim dhe shohim sa e ka bota. Mesatarja e një seti në Gjermani është 0.8 euro, në Turqi është 1 euro.

Sado të jetë gabimi që ne mund të kemi bërë diferenca është jashtëzakonisht e madhe. Nga këtu ka lindur e gjithë historia e këtij koncesioni që dyshohet të jetë abuziv.

Pas video ku bëhej denoncimi, Artan Koni thotë se nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet. ‘Kam marrë shumë mesazhe falënderuese, ndërsa mesazhe negative nuk kam pasur.

Nga autoritetet nuk kam pasur asnjë reagim, përveç nja dy inspektorëve që erdhën për inspektim. U çudita që nuk kishin ardhur prej 3 vitesh’.

‘Ne presim nga SPAK të përmbushë pritshmëritë e popullit në radhë të parë, jo vetëm tonën. Ky institucion është hapur për të luftuar korrupsionin në nivele të larta dhe ky është një rast dhe mund ta fillojë nga këtu. Besimi ynë është maksimal dhe ne e nxisim të bëjë punën e duhur’.