Koncesioni miliona euro që nuk pyet për tërmet!

Ka mjaft zëra mediatik dhe veçanërisht që vijnë nga opozita të cilët thonë, se për një pjesë të mirë të koncesioneve sidomos ato të dyshimta dhe pa logjikë ekonomike, “vaji i ryshfetit” është përdorur paradhënie për ata që i kanë firmosur. Madje dyshimet publike kanë shkuar deri aty, sa që mendohet se pas shumë prej kompanive të PPP-ve të cila janë fshehur nëpër offshore, qëndrojnë pushtetarë apo familjarë dhe lidhje të tyre.

Kjo mund të shpjegojë, edhe këmbënguljen e kryeministrit Rama, që edhe në këto kohë emergjence kombëtare post-tërmet të tregohet i prerë, duke deklaruar se ato nuk do të preken.

Një nga rastet më flagrante dhe të shumë akuzuar, duket se është koncesioni i sterilizimit të veglave kirurgjikale.

Gjatë fjalës së tij në seancën e fundit parlamentare, kryeministri, në vazhdën e qëndrimit për të mos konsideruar fare propozimin e Lulzim Bashës, sipas të cilit, stopimi i një sërë koncesionesh, do të ishte një zgjidhje për të gjetur paratë e rindërtimit të vendit pas tërmetit, mori si shembull pikërisht koncesionin e sterilizimit.

Në zhargonin e tij populist tashmë të dalë boje, ai deklaroi se nuk do ti detyrojmë nënat shqiptare, që të shkojnë në maternitet me veglat e operacioneve me vete.

Por këtë përdorim të nënave që shkojnë të lindim nëpër spitale, për të justifikuar një biznes të pastër korruptiv me taksat e shqiptarëve (sipas shumë dëshmive dhe veçanërisht konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit), e nxori menjëherë blof mjeku urolog Artan Koni.

Nëpërmjet një video- replikë me kryeministrin të shpërndarë në FB, Koni dëshmon  se me anulimin e këtij koncesioni mund të ndërtohen të paktën 500 shtëpi dhe gjendja në spitale, nuk ka për të ndryshuar.

“Përpara se të jepej ky koncension njerëzit nuk i merrnin gërshërët me vete në spital, as nuk vinin me bistori në dorë, e t’ja dorëzonin më pas kirurgut që ai të bënte operacionin. JO. Njerëzit vinin në spital, ashtu siç vijnë edhe sot, dhe kirurgët operonin ashtu sic operojnë edhe sot, me të njëjtat mjete kirurgjikale që i dispononte spitali dhe sterilizohet ne autoklava që i disponon po sot spitali.

Pra, procesi në përgjithësi nuk ka ndryshuar pas koncensionit dhe as nuk do të ndryshojë nëse ky koncesion do të anulohet. E vetmja gjë që ka ndryshuar janë kostot ekonomike. Psh, dje kosto e setit kirurgjikal na kushtonte vetëm 2.4 euro dhe operacionet bëheshin përbukuri, sot pas koncesionit ne paguajmë mesatarisht 190 euro për set kirurgjikal. Pra pagujamë 80 herë më shumë për të marrë pak a shumë të njëjtin shërbim” , dëshmom mjeku Koni në videon në fjalë.

Në këtë vazhdë denoncimesh për këtë koncesion, së fundmi `reporter.al` bëri një kërkim për të njëjtin shërbim, që bën nëpër spitalet e Britanisë së Madhe një kompani private.

Në tabelën e mëposhtme mund të shihni kostot e sterilizimit të instrumenteve të kirurgjisë nga një kontraktor privat në Mbretërinë e Bashkuar për vitet 2015/2016.

Në një nga vendet më për pasur të botës me një shërbim mjekësor tepër të lartë, një set me 10 instrumente sterilizohet për 5.32 paund mesatarisht. Ndërsa një set me 71 apo më shumë instrumente sterilizohet për 47.84 paund. Në kostot duhet faktorizuar edhe krahu i punës që është jashtëzakonisht shumë më i kushtueshëm në Mbretërinë e Bashkuar, se sa këtu në Shqipëri. Pra sterilizimi i një seti maksimal me mbi 71 instrumente kirurgjikalë në Mbretërinë e Bashkuar, kushton 6973.72 lek të reja.

Kurse në vendin tonë, në vitin e parë të koncesionit të sterilizimit (2016/2017) taksapaguesit shqiptarë paguan mesatarisht 22,857 lekë për set kirurgjikal të sterilizuar. Fatura e një viti prej 320,000,000 lekësh, e ndarë për 14,000 operacione të kryera në atë vit. Pra ne paguajmë më shumë se trefishi se britanikët.

Kostoja e sterilizimit në Shqipëri, edhe kur krahasohet me setin më të kushtueshëm në MB, kushton gjithsesi 15,883.42 lek të reja më shumë sesa në Mbretërinë e Bashkuar për çdo set të sterilizuar. Të dhënat u morën nga NHS – National Health Service.

Por nuk mbaron këtu. Ndërkohë që kryeministri ka dalë për të ‘lypur’ para nëpër botë për të rindërtuar onat e prekura nga tërmeti vjen lajmi se po ky koncesion që është 3 herë më i shtrenjtë se në Britani, këtë vit do të financohet nga buxheti i qeverisë Rama me 14 milionë euro nga rreth 10.5 milionë euro, që ishte planifikuar. Ose ndryshe 3.5 milionë euro më shumë se planifikimi fillestar, me një rritje prej 25%, raporton Monitor.

Të njëjtat burime sqaruan për revistën se, planifikimi i koncesionit të sterilizimit për vitin 2019 ka qenë në nivelin 1.28 mld lekë, por mbështetur në vlerën e faturuar për periudhën 10-mujore 2019 në 1.4 miliardë lekë, dhe në pritshmërinë se ky shërbim, deri në fund të vitit do të shkojë në nivelin 1.71 mld lekë.

Pra financimi shtesë për koncesionin e sterilizimit që punon e herë më shtrenjtë se kompania homologe në Britaninë e Madhe për dy vite, 2018-2019, ka kaluar shumën e 6 milionë eurove. Të gjitha këto janë para që do të mund të shërbenin për blerjen e menjëhershme të qindra e qindra apartamenteve për mijëra njerëz që po kalojnë dimrin nëpër çadra.

Por duket se ky koncesion dhe të tjerë, për Edi Ramën janë më të fuqishëm se tërmeti apokaliptik, 6.7 ballë, i 26 Nëntorit.

aaa