Ish-deputetja-Lleshit: Nuk pres që një individ që është bërë lolo e gastorit të Surrelit t’u kërkojë falje shqiptarëve

Pas përplasjes së djeshme me shefin e Urbanistikës në Bashkinë e Lezhës, të cilin e kërcënoi publikisht se po përhapte panik, ministri i Brendshë, Sandër Lleshaj është përplasur sot edhe me ish-deputeten Lindita Metaliaj, e cila i ka kërkuar llogari për ekspertët si edhe i ka kërkuar ndër të tjera që tu kërkojë falje banorëve të Lezhës për fyerjen që u bëri dje.

Por Lleshaj siç shikohet edhe në videon e mëposhtme, i është drejtuar me fjalët: ‘Shko gjej punën…’

Në një postim në Facebook, Metaliaj ka shpjeguar edhe incidentin.

“Debatova me Sandër Lleshaj para pak momentesh dhe i kërkova që fjalet për sigurinë e pallatit 12-katësh në Lezhë t’i shoqërojë me akt eskpertimi jo me fjalë. Në emër të qytetarëve, të lenduar dje, nga gjuha arrogante dhe kriminale e Ministrit te Brendshëm, i kërkova të bëjë një ndjesë publike. Nuk pres që një individ që është bërë lolo e gastorit të Surrelit t’u kërkonte falje shqiptarëve dhe lezhjanëve për sjelljen e dënueshme moralisht dhe ligjërisht”, shkruan Metaliaj.

Pasi debatoi të martën me banorët e një pallati 12 katësh në Lezhë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u kërkoi sërish sot pasdite këtyre banorëve të hyjnë nëpër apartamente, pasi pallati sipas tij është i sigurtë.

Ndërkohë dy grupe ekspertësh kanë bërë verifikimin e ndërtesës, por banorët nuk besojnë tek fjalët dhe duan një dokument zyrtar.

Sandër Lleshaj  gjatë debatit me banorët është shprehur pallati është i sigurt dhe qytetarët mund të futen në shtëpitë e tyre, “kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë”, tha Lleshaj.

Të jenë këto fjalë një mënyrë për të justifikuar debatin e së martës në Lezhë? Gjithësesi ministri as sot nuk shpëtoi nga ajo që e quan zhurrmë kur në fakt është kërkesë për të dhënë llogari. Ai deri më sot është sjellë si ekspert dhe ju dha garanci banorëve të pallatit 12 katësh në Lezhë se pallati i tyre është i banueshëm. Pasditen e së mërkurës ai u rishfaq në Lezhë dhe dha sërish siguri.

“Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij”, tha Lleshaj.

Banorët që kanë frikë për jetën e tyre nuk e lanë të qetë po i kërkuan Lleshajt një dokument që vërteton fjalët e tij. Më pas ministrit iu kërkua të kërkojë falje për sjelljen e tij. Po komunikimi i tij ndaj banores ishte në mënyrë arrogante.