Haaland udhëton drejt Anglisë, gati bisedimet me Manchester Unitedin

Erling Haaland është duke udhëtuar nga Stavangeri i Norvegjisë në Mançester të Anglisë për t’i nisur negociatat me Manchester Unitedin për një transferim gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi i shumëkërkuar i Red Bull Salzburgut, Erling Braut Haaland, u nis sot nga aeroporti norvegjez në Stavanger drejt Mançesterit dhe pritet të mbërrijë në aeroportin anglez në orën 11:15.

Babai i tij Alf-Inge Haaland – i cili gjatë karrierës së tij si futbollist kishte luajtur për Nottingham Forestin, Leeds Unitedin dhe Manchester Cityn – është duke udhëtuar me futbollistin.

Sulmuesi ishte kthyer në vendlindjen e tij, Norvegji, pasi që Bundesliga austriake, ku Haaland luan për Salzburgun, është në pushim dimëror.

Deri më tani këtë sezon në Bundesligën austriake, Kupën e Austrisë dhe Ligën e Kampionëve, Haaland ka arritur t’i shënojë 28 gola në 22 ndeshje për Salzburgun.

Ky lajm i lë nën hije lajmet e publikuara nga mediumet italiane se Juventusi është klubi favorit për t’i siguruar shërbimet e futbollistit të ri të talentuar, ndërsa edhe klube të tjera si Dortmundi dhe Leipzigu janë interesuar për të.

Edhe vetë trajneri norvegjez e kishte konfirmuar se është tifoz i Haalandit, pasi që edhe kishte qenë trajner i tij për dy vjet sa ishte në Molde të Norvegjisë.