Guardiola drejt PSG-së, Pochettino tek Manchester City

Paris Saint-Germaini raportohet se dëshiron ta emërojë Pep Guardiolën trajner, përderisa Mauricio Pochettino është duke e monitoruar situatën në Manchester City.

Ndihmëstrajneri në Manchester City, Mikel Arteta, duket se është shumë afër të bëhet trajner i Arsenalit. Mirëpo, në rrugën e largimit nga Manchester City së shpejti atij mund t’i bashkohet edhe Pep Guardiola.

Kjo pasi që kampioni në fuqi i Francës, Paris Saint-Germaini, dëshiron ta emërojë ish-trajnerin e Barcelonës dhe Bayern Munich në vend të Thomas Tuchelit, i cili nuk ka arritur të ketë sukses në Ligën e Kampionëve, përkundër investimeve të mëdha të parisienëve.

Mediumi francez Le10 Sport raporton se drejtuesit e PSG-së janë të bindur se me emërimin e Guardiolës në postin e trajnerit në fund të këtij sezoni, klubi do të ketë më në fund sukses në garat evropiane.

Megjithatë, Guardiola ka kontrata me Manchester Cityn deri në vitin 2021 dhe ai ka thënë së fundi se është i gatshëm edhe ta rinovojë kontratën.

Por, mediumet franceze shkruajnë se strategu spanjoll mund të tundohet nga oferta e PSG-së, veçanërisht pasi që francezët janë të gatshëm ta marrin edhe ish-mesfushorin legjendar të Barcelonës, Xavin, si ndihmëstrajner të Guardiolës.

Përderisa Manchester City është 14 pikë prapa liderit të Premierligës, Liverpoolit, Paris Saint-Germaini është në krye të tabelës së Ligue 1 dhe do të përballet me Borussia Dortmundin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.