Gjyqi absurd ndaj Xhulias, jepet vendimi

Gjykata e Durrësit ka vendosur ditën e sotme të lërë të lirë 25-vjeçaren Xhuliana Aliaj, e cila u arrestua tre ditë më parë me akuzën e përhapjes së panikut, pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin.

Ajo doli këtë të hënë përpara togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë. Vendimi i marrë ishte detyrim paraqitje.

E reja u akuzua për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Sipas policisë ajo postoi në Facebook “shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve“.

Ndërkohë që dhe Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të.

Arrestimi i Xhulias është dënuar maksimalisht nga opionioni i gjërë, edhe pse Gjykata sot vendosin ndaj saj masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Avokati i Xhulias u përpoq të argumentonte se 25-vjeçarja është përpjekur të kujdeset për komunitetin, jo të përhapë panik! Të kujdeset nga ato që ka dëgjuar dhe ka lexuar nga gazetat! Nuk ka qëllimi i saj të përhapë panik, asnjë lloj frikë, por të kujdeset për të afërmit, për familjen e vet, për komunitetin. Dhe ky njeri që kërkon të kujdeset, u dashka të dënohet për vepër penale?!”

Pse u arrestua Xhuljana Aliaj?

Njoftimi i plotë i Policisë më 29 nëntor 2019

Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në vijim të masave të marra për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese, ka vijuar intensivisht punën në evidentimin, dokumentimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo rasti.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Antiterrorit arrestoi në flagancë shtetasen Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Gjatë monitorimit të burimeve të hapura (rrjeteve sociale) nga struktura të Drejtorisë së Antiterrorit është konstatuar se shtetasja Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook”, në linkun https://ëëë.facebook.com/xhulja.aliaj shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëmërmjet efekteve të këtyre lajmeve.

Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera të specializuara në Policinë e Shtetit kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon me procedimet penale dhe për çdo rast do informohet media e publiku.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton cilindo që has në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Dixhital.

Dy statuset për të cilat u arrestua Xhuliana

Në dy statuse në rrjetet sociale, 25-vjeçarja bënte thirrje qytetarëve që të largohen nga Porto Romano për shkak se nga tërmeti ishte çarë hidrovori dhe mund të shpërthente depozita e gazit.

Ju lutem ikni nga Porto-Romanoja. Eshte kris hidrovori dhe mund te shperthejne depozitat e gazit nqs bir prape termet. Ikni!”

Ndërsa në një status tjetër shkruante: “I lutemi shtetit dhe autoriteteeve të portit të naftës në Porto-Romano të vlerësojnë gjendjen e depozitave me nafte dhe gaz. Kemi shume frike! Presim pergjigje!”

2

3