Frymoni duke e dënuar diktaturën!

200

Nga Elona CASLLI

Pika tragjike ku kemi mbërritur, na bën shpesh t’i kthejmë sytë nga e shkuara dhe ta krahasojmë atë me të tashmen e çoroditur që jetojmë.

Jemi aq të dorëzuar përballë fatit të keq, që vetë ne e krijuam, sa në këtë dorëzim të mbrapshtë krahasojmë kohën që jetojmë me kohën e ngrirë të diktaturës.

E quaj kohë të ngrirë kohën e diktaturës, sepse mendoj se kushdo që ka jetuar në atë kohë, ka prekur medoemos akullnajën e një diktati të acartë.

Diktatura vrau me qëllim palcën trunore të kombit dhe e zhvendosi shoqërinë shqiptare nga jeta.

Gjymtimi i lirisë së fjalës, i lirisë së mendimit dhe i lirisë së veprimit, për gjysmë shekulli bëri që një pjesë e mirë e shqiptarëve të hynin e të dilnin nga jeta pa e ditur se ç’është.

Në mitrën e diktaturës u krijua Njeriu i Ri, tiparet e të cilit nuk kishin asgjë njerëzore.

Njeriun e Ri, e mësuan si të lexonte, si të shkruante, si të punonte, si të jepte mësim, por nuk e mësuan kurrë si të mendonte.

Njeriu i Ri, ishte i zhveshur nga mendimi. Mendimi është kërcënim për çdo diktaturë.

Të ndalesh të mendosh do të thotë të nxjerrësh përfundime. Përfundimet të çojnë pashmangshmërisht në kundërshtime. Dhe të kundërshtosh do të thotë të revoltohesh.

Shpesh dëgjohet shprehja- Ta zinte kohën Enveri! E vërtetë. Enveri zinte kohën sepse donte të zinte mendimin. Duke zënë kohën e dikujt , zë njëkohësisht edhe mendimin e tij.

Se sa larg jetës dhe qytetërimit të mirëfilltë ishte shoqëria shqiptare, e kuptuam në fillim të viteve 1990 , kur drita e lirisë na verboi sytë, teksa kapërcyem kufirin dhe kuptuam se sa jetë ishin çuar dëm për gjysmë shekulli, se sa shtrenjtë e kishim paguar si komb atë izolim fatal.

Kur t’ju vijë ndërmend të bëni krahasime, kujtohuni për skeletet e diktaturës. Skeletet e saj, mbartin emra personalitetesh që po të kishin jetuar të lirë dhe të ushtronin lirisht mendimin dhe aktivitetin e tyre, në ditët që flasim, Shqipëria, do të ulej denjësisht në perëndim dhe nuk do ta shihte këtë të fundit me kokë të ulur dhe sy të përgjëruar!

Post Scriptum- Njeriu i Ri është drama jonë!

Elona Caslli