Fotot e panjohura të mbledhjes ku u njoftua legalizimi i PD

Memorie.al publikon disa foto të rralla që i përkasin themeluesëve të Partisë Demokratike që shpalli krijimin e saj në mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit 1990 në një miting madhështor në Qytetin Studenti, ku morrën pjesë edhe me mijra e mijra qytetarë të Tiranës dhe të tjerë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vëndit.

Vetëm disa ditë nga shpallja e kijimit të PD-së, në mbrëmjen e 17 dhjetorit 1990, teksa krerët kryesorë të asaj partie ishin mbledhur në një nga sallat e Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të dhënë një konferencë shtypi, ku në emër të Komisionit Nismëtar, Preç Zogaj dhe Genc Pollo, që mbulonin sektorin e shtypit, do bënin publike dy kërkesat e para të Partisë Demokratike, siç ishte lirimi i të gjithë të burgosurve politikë dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, erdhi njoftimi që Ministria e Drejtësisë kishte legalizuar Partinë Demokratike dhe të gjithë të pranishmit shpërthyen në brohoritje duke përqafuar njëri tjetrin.

Të gjithë këto foto që Memorie.al po i bën publike për herë të parë, janë fiksuar nga gazetari Nikola Miletic, korrespodent i AFP-së për rajonin e Ballkanit, dhe i përkasin atij momenti historik që shënoi edhe krijimin e partisë së parë opozitare në Shqipëri, pas gati gjysëm shekulli të sundimit komunist. Të gjitha imazhet e rralla të asaj mbrëmje të 17 dhjetorit 1990-të ku shfaqen disa prej themeluesëve të Partisë Demokratike e Komisionit të saj Nismëtar si: Berisha, Meksi, Pashko, Hajdari, Zogaj, Ruli, Pollo dhe Eduard Selami, deri tek disa nga protagonistët kryesorë të atyre ngjarjeve si: Mond Budina, Ben Lika, Zenel Hoxha, Ilir Dizdari, Tefalin Malshyti, Lazër Stani, etj.

Vetëm dy tre ditë nga fillimi i protestave studentore që nisën në Qytetin “Studenti”, fillimisht me kërkesa ekonomike dhe më pas në ato politike kundër regjimit komunist, në 11 dhjetor të vitit 1990, një grup intelektualësh që kishin mbështetur që në fillim kërkesat e atyre studentëve, u mblodhën në shtëpinë e Gramoz Pashko te Rruga e Elbasanit, ku diskutuan dhe debatuan gjatë për themelimin e një partie politike që do ishte në opozitë me Partinë e Punës që kishte udhëhequr e sunduar për gati 45 vjet Shqipërinë.

Në këtë grup intelektualësh, përveç të zotit të shtëpisë, (Pashkos), bënin pjesë edhe Sali Berisha. Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Preç Zogaj, Arben Imami, Eduart Selami, Genc Pollo, Genc Ruli, etj., të cilët do të përbënin edhe grupin nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike, në orët e vona të asaj mbrëmje, (11 dhjetor), ranë dakort për themelimin e një partie të madhe opozitare, ku programi minimal dhe statuti i saj u përgatitën të nesërmen gjatë ditës po në shtëpinë e Pashkos.

Dhe në mbrëmjen e datës 12 dhjetor, në një miting madhështor në Qytetin “Studenti”, në emër të grupit nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike, Arben Imami, shpalli krijimin e saj, gjë e cila u prit me ovacione dhe brohërima të mëdha nga mijra e mijra pjesmarrës të atij mitingu.

Gjëra të cilat tashmë janë të njohura prej kohësh edhe nga kronikat televizive të realizuara nga Radio Televizioni Shqiptar nën drejtimin e Virgjil Kules, apo dhe foto të shumta që janë publikuar prej vitesh dhe vazhdojnë të publikohen ende. Të nesërmen, më 13 dhjetor, u krijua Komisioni Nismëtar që ndau dhe detyrat për çdo anëtar, ku si pikë kryesore ishte mbledhja e 400 firmave që do duheshin për t’u paraqitur pranë Ministrisë së Drejtësisë, bashkangjitur kërkesës për njohjen e legalizimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjë e cila duhet thënë se nuk ishte fort e lehtë, pasi pati edhe mjaft hezitime nga shumë intelektualë që iu kërkua firma për atë gjë. Nisur nga ky fakt tashëmë i njohur, një rol të madh për plotësimin e listës së 400 firmave që duheshin, luajti Dashamir Shehi, me anë të njohjeve dhe rrethin e tij shoqëror në Tiranë.

Pak ditë më vonë, në mbrëmjen e 17 dhejtorit 1990, Komisioni Nismëtar, i ndjekur nga një grup i madh mbështetësish e simpatizanëtësh të Partisë Demokratike, si studentë, intelektualë, sindikalistë, etj., u mblodhën në Pallatin e Kulturës të Qytetit “Studenti”, ku do jepej një konferencë shtypi dhe do të shpalleshin dy kërkesat kryesore që ishin dhe të parat që po bëheshin nga ajo forcë politike e sapokrijuar.

Që ishin:
Lirimi i të gjithë të burgosurve politikë të Shqipërisë
Shtyrja e datës së zgjedhjeve, të cilat ishin njoftuar se do të mbaheshin më 10 shkurt 1991.

Këto dy kërkesa ishin miratuar më parë në një mbledhje të Komisionit Nismëtar dhe për zbardhjen e përpilimin përfundimtar të tyre, u caktuan Preç Zogaj (poet, shkrimtar, gazetar i njohur, redaktor në gazetën “Drita” në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë) i ngarkuar për sektorin e shtypit në Partinë Demokratike dhe Genc Pollo, (historian dhe studjues nga më të njohurit e brezit të ri në Akademinë e Shkencave), gjithashtu i ngarkuar me shtypin, të cilët paraditen e asaj date, shkuan në lokalin e Pallatit të madh të Kulturës në qëndër të Tiranës ku dhe përgatitën tekstin e komunikatës që do lexohej në atë konferencë shtypi.

Në kohën që kishte filluar konferenca e shtypit dhe në podiumin e sallës së mbushur plot, Preç Zogaj dhe Genc Pollo, po lexonin kërkesat e Partisë Demokratike, dikush nga salla iu afrua podiumit të tyre dhe i dha Zogajt një pusullë, duke i thënë me zë të ulët se atë ja kishte dhënë Alfons Gurashi.

Ndërsa Zogaj hapi letrën e palosur, ndërpreu menjëherë konferencën e shtypit, (që duhet thënë se ishte dhe e para konferencë në kuptimin modern të fjalës që jepej nga PD-ja), dhe dha sihariqin e madh se ishte legalizuar Partia Demokratike. Ndërkaq, të gjithë të pranishmit shpërthyen në brohoritje, ovacione dhe duke përqafuar njëri tjetrin, ku shumë syresh siç duken dhe në fotot në fjalë, janë të përlotur.

Sipas Preç Zogajt, i kontaktuar nga Memorie.al, aq shumë zgjatën ovacionet dhe brohëritjet për lajmin e dhënë se ishte legalizuar Partia Demokratike, saqë ajo u kthye në një festë që eklipsoi edhe dy kërkesat e Komisionit Nismëtar, për të cilat ishin mbledhur të gjithë në atë sallë.

E gjithë kjo skenë tashmë është e njohur pasi ajo është filmuar nga operatori Agim Buxheli, që duhet thënë se është dhe i pari që me aparatin e kameran e tij ka fiksur pothuaj të gjitha mbledhjet, aktivitetet, mitingjet, e gjithë veprimtaritë e tjera të Partisë Demokratike, duke na dhënë imazhe tepër të rralla të evenimenteve kryesore, që nga mbledhja e Komisionit

Nismëtar në bodrumin e vilës së Pashkove, dhe më pas në Qytetin Studenti në mbrëmjen e 12 dhjetorit 1990, ku u shpall krijimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Përveç imazheve filmike të Buxhelit që u fiksuan nga ajo konferencë shtypi e mbajtur në Pallatin e Kulturës së Qytetit “Studenti” në mbrëmjen e 17 dhjetorit 1990, ku disa sekuenca janë trasmetuar edhe nga emisioni OPINION në Tv Klan etj., ajo çka ndodhi aty është fiksuar edhe në disa foto të bëra nga gazetari Nikola Miletiç, i cili ishte korrespodenti i AFP, për rajonin e Ballkanit, (pak kohë më vonë u emërua drejtor në i AFP-së në Paris), foto të cilat Memorie.al po i bën publike për herë të parë në këtë 12 dhjetor, që ka hyrë tashmë në historinë e Shqipërisë, si dita e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ishte dhe partia e parë opozitare që nga ardhja e komunistëve në pushtet në nëntorin e vitit 1944.

Ajo çka ndodhi atë mbrëmje të 17 dhjetorit 1990 në sallën e Pallatit të Kulturës së Qytetit “Studenti”, pra lajmi i legalizmit të partisë më të re opozitare në Shqipëri, që de jure shënonte dhe fundin e sundimit dhe hegjemonisë së PPSH-së, u përhap menjeherë në të gjitha agjensitë kryesore të lajmeve në botë, pasi të pranishëm në atë sallë ishin edhe dy gazetarë të huaj (një francez dhe një gjerman) si dhe dy-tre gazetarë nga Radio-Televizionit i Prishtinës apo gazeta “Rilindja”.

Ndërsa edhe këto gjëra tashmë janë mjaft të njohura nga shkrime të ndryshme, intervista apo libra me kujtime që kanë shkruar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë Demokratike, etj., si: Aleksandër Meksi, Mujë Buçpapaj, Afrim Krasniqi, Shenasi Rama, Bardhyl Ukcama, etj., jo pak interes paraqesin edhe fotot e bëra nga gazetari i AFP-së, Nikola Miletiç, që ka fiksur atë moment historik, ku jepen imazhe të rralla të disa prej themeluesëve të Partisë Demokratike, si: Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Preç Zogaj, Genc Pollo, Genc Ruli, etj., që më pas u ngarkuan dhe me funksione drejtuese në PD dhe qeverinë e parë e dalë prej saj pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, e deri tek Arben Lika, Edmond Budina, Zenel Hoxha, Napolon Rroshi, Lazër Stani, Tefalin Malshyti, etj., personazhe me mjaft kontribut në themelimin e asaj force politike dhe më pas në funksione dhe detyra të ndryshme.

1 56
2 47
3 334 25
5 21
6 16
7 8
8 6
9 5
10 111 8
12