Diplomati i njohur: Paketa antishpifje, në dëm të interesave të demokracisë!

I ftuar në “Mbrëmja në ABC” me Mirela Milorin, diplomati Agim Nesho ka folur për proceset për shkarkimin e presidentit Donald Trump, i cili tashmë është zyrtarisht i akuzuar. Ai u shpreh se demokratët kërkojnë respektimin e ligjit. “Jo shumë presidentë kalojnë në fazën e hetimit parlamentar të Kongresit Amerikan”, tha Agim Nesho.

“Demokratët kërkojnë respektimin e ligjit, që asnjë njeri të mos jetë mbi ligjin. Ligjvënësit amerikanë janë të lirë, në rastet që prekin situatën e sigurisë kombëtare dhe në rastet që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre, ata dalin jashtë linjave partiake”, tha Nesho.

Ai gjithashtu theksoi se shihet një popullaritet në rritje të Presidentit Trump dhe shihet efektiviteti i punës që ai ka bërë.

“Në gjithë investigimet që janë iniciuar kundër presidentit Trump, kanë dalë rezultate që ka pasur tendencë nga vetë organet e drejtësisë që ta shikojnë në mënyrë të theksuar si anti Trump. Vetë situata e bërë nga demokratët të cilët duan të dobësojnë pozicionin e tij nuk do të japë rezultate pozitive”, theksoi Nesho.

Diplomati ka folur edhe për paketën antishpifje të cilën theksoi se e sheh si një prishje të ekuilibrave të demokracisë.

“Paketa është një rast skandaloz. Ne jetojmë në një krizë të gjatë institucionale ku balancat e pushtetit janë prishur dhe është shumë e vështirë të mbash ekuilibrat kur edhe situata ekonomike nuk është në favor. Ky ishte një akt i turpshëm, në dëm të interesave të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit si kandidat që kërkon të futet në BE”, u shpreh Nesho.

Më tej ai theksoi se liria e shtypit është kryesorja. Sipas tij kjo është paramenduar mirë për të mbyllur fjalën e lirë. “Një hap negativ dhe nëse opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar nuk do të reagojë e gjitha kjo do të çojë kalimin e Shqipërisë në një fazë tjetër të një sistemi jo liberal demokratik në vend”, tha Nesho./abcnews.al