Bizneset do të paguajnë 100 milionë euro të tjera për kasat e reja

146

Procesi i fiskalizimit do të kërkojë që bizneset të nxjerrin më shumë para ekstra nga xhepi. Për t’iu përshtatur kërkesave të reja të fiskalizimit, një biznesi do t’i duhet që minimalisht të ketë një kompjuter apo smartphone për të shkarkuar aplikacionin që do të bëjë regjistrimin e shitjeve ditore, printerin fiskal, vulën dixhitale, vetëm marrja e së cilës kërkon 4.000 lekë në vit dhe një linjë interneti të dedikuar, si dhe kostot e mirëmbajtjes.

“Monitor” ka përllogaritur më herët, me ndihmën e kontabilistëve, kostot me të cilat do të përballet biznesi me implementimin e procesit të fiskalizimit dhe për fat të keq ato janë disafish më të larta edhe se vetë taksat që paguan biznesi i vogël.

Kështu vetëm kostot fillestare në vitin e parë të implementimit shkojnë 53,200 lekë, ndërsa kostot e mirëmbajtjes në varësi të linjës së internetit që do të përdoret, do të shkojnë nga 64,200 deri në 94,200 lekë. Në total, vitin e parë një biznes do të paguajë 960 – 1200 euro, sipas tabelës më poshtë.

Bazuar në parashikimet e ekspertëve mbi kërkesat që ka sistemi i ri dhe përllogaritjeve të Monitor duke iu referuar çmimeve të tregut tek kostot fillestare që do të nevojiten për implementimin e sistemit është përfshirë: çmimi i një kompjuteri rreth 30 mijë lekë, printer fiscal 16800 lekë (140 euro), vula dixhitale e cila kushton 6400 lekë.

Ndërsa në kostot e mirëmbajtjes, të cilat janë periodike, ekspertët llogarisin kostot për mirëmbajtjen e softuerit, linjën e dedikuar të internetit, si dhe përditësimin e programeve financiare.

Në fund të vitit 2018, sipas të dhënave të INSTAT, numri i ndërmarrjeve në vend ishte 121 mijë, pa përfshirë këtu fermerët. Prej tyre rreth 105 mijë është numri i ndërmarrjeve aktive. Minimalisht biznesit shqiptar vetëm gjatë vitit të parë fiskalizimi do t’i kushtojë rreth 100 milionë euro (llogaritur me koston minimale fillestare prej rreth 1,000 euro). Në vitet në vijim kosto përgjysmohet, por sërish mbetet e lartë për shkak të mirëmbajtjes, vulës dixhitale dhe internetit të dedikuar.

Kompanitë e kasave fiskale paralajmërojnë kosto të larta
Gjatë seancës dëgjimore më kompanitë e kasave fiskale ditën e djeshme u diskutuan kostot që sistemi i ri i fiskalizimit. Në një vlerësim të kompanive të kasave fiskale kostot përllogaritet të shkojnë deri në 1300 euro.

Bledar Balla përllogariti disa nga kostot që do të përballet menjëherë biznesi. Sipas tij një kompjuter sot me çmim tregu kushton 250 euro, printeri fiskal është rreth 100 euro, licenca e Windows 1010 euro, një ubs 30 euro, licenca për një soft të thjeshtë shitjesh përllogaritet rreth 200 euro, një antivirus 15 euro në muaj (180 euro në vit), linja e internetit 100 euro në vit, dhe certifikata digjitale 6000 lekë çdo vit. Me tej, Bledar Balla përllogarit se vetëm për mirëmbajtjen e softit një biznes duhet të paguajë 5 mijë lekë ccdo muaj apo rreth 60 mijë lekë në vit.

“Sot për kasat kompanitë në 5 vjet është e llogaritur paguajnë 479 euro bashkë me çmimin e kasës dhe vlerën e mirëmbajtjes në 5 vjet. Totali për ta mirëmbajtur për 5 vjet 479 euro”,- shpjegon Bledar Balla, përfaqësues i kompanive të kasave.

Më herët për Monitor kompanitë e kasave fiskale kishin deklaruar se sistemi i ri do të kërkojë që kasat të raportojnë të gjitha transaksionet në kohë reale. Përfaqësues të kompanive të kasave fiskale thanë për “Monitor” se po punojnë dhe kanë arritur që kasat të përshtaten me kërkesat e reja të sistemit, por sipas një protokolli që ata kanë krijuar.

“Që në momentin kur u hodh ideja e fiskalizimit, me kërkesat që ata parashtruan, ne kemi ndërtuar një protokoll për kasat aktuale. Kemi krijuar një protokoll tonin, i cili mundëson që këto pajisje të transformohen me pak kosto për tatimpaguesin me gjithë karakteristikat që kërkon sistemi i ri. Qëllimi ynë është që transformimi nga një sistem në një sistem të jetë sa më i ulët”, – shpjeguan ata për “Monitor”.

N.q.s. do të punohet me logjikën e re të sistemit, i bie pastaj që është revolucion total dhe pajisjet duhen ndërruar të gjitha. Thënë më thjesht, kasat aktuale fiskale flasin një gjuhë, ndërsa sistemi i fiskalizimit flet një gjuhë tjetër. Kompanitë që ofrojnë kasa fiskale në treg konfirmuan për “Monitor” se janë në bisedime të vazhdueshme me përfaqësues të Ministrisë për të gjetur një zgjidhje me sa më pak kosto për biznesin.

Ministria: Fiskalizimi do të sjellë ulje të kostove dhe konkurrencë më të madhe në treg
Nga ana tjetër zëvendës Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për kostot kaq të larta dhe se biznesi nuk do të paguajë më shumë se 7-8 euro në muaj për mirë mbajtjen.

Ai u prononcua për mediat se nga të gjitha konsultimet që kemi bërë asnjëherë nuk është artikuluar një kosto e tillë, qoftë nga kompanitë e kasave fiskale, apo edhe nga operatorët e tjerë, të cilët jo detyrimisht janë të lidhur me një pajisje të caktuar fiskale.

I gjithë ndryshimi ligjor ka konsistuar në hapjen e tregut, në hapjen e tregut për më shumë operatorë dhe në liberalizimin e përdorimit të një hardëare të caktuar, pra jo detyrimisht duhet përdorur një pajisje e caktuar fiskale, pasi mund të jetë çdo pajisje elektronike, e cila mund të instalojë një softëare fiskal dhe mund të transmetojë me transmetim 3G apo edhe me transmetim nëpërmjet kabullit.

Thënë kjo, mundësitë janë të pafundme dhe natyrshëm e logjikshëm do të sjellë dhe një ulje të kostove dhe konkurrencë më të madhe në treg. Por, investime në lidhje me pajisjet fiskale, në vlera të tilla të cilat janë artikuluar sot, ne nuk kemi pasur asnjëherë.

Ne kemi pasur komunikim verbal intensiv me të gjithë kompanitë e kasave, ashtu siç kemi pasur edhe komunikim me shkrim dhe nëpërmjet postës elektronike dhe kostot e vetme të cilat janë të lidhur me sistemin e ri të fiskalizimit janë kosto të mirëmbajtjes, të cilat së bashku me certifikatën elektronike, e cila është një risi në transmetim, pra kërkohet që biznesi të pajiset me një certifikatë elektronike, pra certifikatë elektronike së bashku me mirëmbajtjen varion në rangun e 7-9 euro në muaj dhe kjo është kostoja e vazhdueshme që do të jetë gjatë gjithë pjesës së fiskalizimit dhe kosto fillestare ne nuk kemi mar ndonjë artikulim, është hera e parë.