Betonizimi i Tiranës në shifra të frikshme, shtohen 1.3 milionë metra katrorë në 9 muaj

129

Është ende herët për të thënë nëse tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit do të frenojë ndërtuesit, por të dhënat flasin që deri në fund të shtatorit, vrulli i tyre nuk kishte të ndalur, sidomos në Tiranë.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT për lejet e ndërtimit, në tremujorin e tretë, tregojnë se për 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017.

Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Për gjithë 9-mujorin, në kryeqytet janë dhënë 313 leje ndërtimi, nga 268 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 17%. Rritja më e lartë në sipërfaqe në krahasim me numrin është një tregues direkt i dhënies së lejeve për ndërtesa të larta.
Vrulli i ndërtimeve po vijon. Ndërkohë që vetë ndërtuesit po pranojnë që në Tiranë janë 2500 apartamente për të shitur, kjo sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku.

Në takimin me kryeministrin Rama, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, u shpreh se fondacionet nuk mund ta zgjidhin çështjen e banesave të reja për të prekurit nga tërmeti.

“Janë aty, mbi 2500 banesa dhe mendoj se thelbi i mbledhjes, duhet të jetë, jo të merremi me fondacionet, ato mirë se të vijnë, do të vazhdojnë edhe dy javë. Por kam një lajm të keq për zotin kryeministër, ngarkesën do ta mbajë si gjithmonë i zoti i shtëpisë, që është qeveria.

Unë propozoj që të shihet mundësia, që të bëhet një tavolinë trepalëshe, midis qeverisë, sistemit bankar dhe atyre që posedojnë këto apartamente, dhe të gjendet një zgjidhje e shpejtë, që do ketë edhe komponentin human.

Mund të jepet zgjidhje për një periudhë të shkurtër. Nuk ndodh në vende të tjera të ketë superprodhim, ne i kemi dhe duhet të vëmë në eficencë. Do të ketë nevojë për ndërtesa të reja patjetër, por ky kontingjent është atje dhe fle“, u shpreh Dulaku.

Vlera e ndërtimeve në Tiranë 375 milionë euro
INSTAT raporton se për 9-mujorin, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike ishte 46.2 miliardë lekë, ose 375 milionë euro për Tiranën. Kjo shumë përbën gati 70% të vlerës së dhënë për të gjithë Shqipërinë.

Lejet në vend
INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë 2019 janë miratuar gjithsej 293 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 343 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rënie prej 14,6 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2019, është 685.455 m², nga 330.725 m² miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje me 2,1 herë.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e tretë 2019, është 25,6 miliardë lekë, nga 15,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje prej 68,0 %.

“Monitor”