Basha nga Lezha: Qindra milionët e ndara për oligarkët tu kalojnë atyre që kanë mbetur pa strehë

Kryetari i opozitës, Basha ka bërë thirrje nga Lezha që qindramilioët e ndara për oligarkët tu kthehen qytetarëve dhe të shkojnë për banorët që kanë mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit

Postimi i Bashës

Sot në Lezhë takova banorë që janë në dilemë të rikthehen apo jo në banesat e tyre të dëmtuara sepse ende nuk është bërë vlerësimi përfundimtar nëse janë të banueshme.

Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për të zbutur tronditjen e madhe që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe të rikuperojmë pasojat që la pas në mijëra banesa të dëmtuara dhe të shkatërruara.

Ka nevojë urgjente të shtohen grupet e vlerësimit. Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri.

Realiteti nuk ndryshon duke e mohuar, por duke u përballur me të dhe duke dhënë zgjidhje. Zgjidhja fillon që nga ndihmat emergjente për të cilat banorët kanë nevojë, e deri te çertifikimi zyrtar i banesave.

Vëmendja në këto ditë të vështira për vendin, duhet të shkojë te profesionistët e vërtetë, sepse fatmirësisht vendi ynë ka shumë inxhinierë të zotë, por ka munguar vullneti për ti vënë në punë. Nuk ka kohë për të humbur! Është e pakuptueshme mosangazhimi i shumë inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht!

Duhet urgjentisht të alokohen dhe shpërndahen fonde për familjet në zonat rurale në mënyrë që të nisin riparimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara. Qindra milionat e ndara për oligarkët dhe që nuk kanë asnjë impakt në jetën e qytetarëve duhet tu kalojnë njerëzve të mbetur pa strehë, ndërsa moti është ftohur, dhe pritet të intensifikohen reshjet.