Basha: Mirënjohje protestuesve që po strehojnë 120 të dëmtuar nga tërmeti

120 banorë të mbetur nga tërmeti pa shtëpi dhe asgjë tjetër, janë pritur nga banorët e Unazës së Re në Tiranë dhe po strehohen falas në një godinë të afruar prej tyre dhe po trajtohen me ushqime dhe ilaçe.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka hyrë dhomë më dhomë për t’i takuar dhe dëgjuar problemet e tyre.

Basha foli me një familje nga Mamurrasi që ishte strehuar vetë e tetë në Tiranë.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA

Dua të falenderoj nga zemra Flamurin dhe familjen e tij që ka vënë në dispozicion prej ditës së parë këtë ndërtesë. Dua të falenderoj Aleancën për Teatrin që ka kontribuar prej orëve të para me ndihmat që janë mbledhur për të goditurit nga tërmeti. Dua të falenderoj të gjithë banorët e “Unazës së Re” që po punojnë si vullnetarë, duke ndihmuar nga mëngjesi deri në darkë dhjetëra familje të strehuara kryesisht nga zonat e goditura nga tërmeti.

Falenderoj mjekët që, në mënyrë vullnetare, po kontribuojnë për shëndetin e shume prej tyre që janë të sëmurë kryesisht për shkak të qëndrimit në çadra në ditët e ftohta dhe në orët e para të fatkeqësisë dhe po kështu dua të falënderoj nga zemra këdo që ka mbështetur me kontribute, me ushqim, me orendi.

Dua të theksoj se ky është një kontribut i gjithi vullnetar.

Falënderoj të rinjtë e FRPD-së dhe strukturat tona të degës 6 dhe 7, të cilët po bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar. Falënderimi kryesor i takon këtyre njerëzve me zemër të madhe.

Këtu po qëndrojnë afër rrënojave të një tërmeti tjetër, të një tërmeti të shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni dhe është domethënëse.

Nuk është e rastisshme që këta njerëz që e kanë vuajtur jo një ditë, siç e vuajtën familjet e goditura apo gjithë shqiptarët, por ditë për ditë traumën e fatkeqësisë, këta janë të parët që hapën zemrat, hapën shtëpitë e tyre, dhanë gjithçka po ndihmojnë të parët, për t’u qenë pranë njerëzve që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë.

Kam një mesazh për këdo që ka mundësi të ndihmojë.

Këtu ka nevojë për ushqime, pajisje, tavolina, karrike, ka shumë fëmijë që po trajtohen vullnetarisht nga psikologë dhe studente të psikologjisë, të cilat i falënderoj.

Shumëkush ka ardhur, kanë kontribuar financiarisht, por ka ende shumë nevojë për ndihmë materiale.

Ka akoma mundësi për të strehuar edhe disa familje të tjera, por ndërkohë mundësitë për të kontribuar me ushqime dhe orendi janë të pakta.

Ne do të bëjmë ç’është e mundur si opozitë për të furnizuar këtë qendër dhe qendra të tjera përmes kontributeve vullnetare, tona dhe të mbështetësve tanë.

I bëj thirrje kujtdo që mund të kontribuojë, të kontribuojë në këtë qendër që ndohet këtu në zonën e “Unazës së Re”. Dua të falënderoj ata që kanë hapur dyert dhe zemrat dhe kanë treguar se shqiptarët në raste të tilla fatkeqësie dinë të jenë një familje e madhe me një zemër shumë të madhe.

Dhe ky është një shembull prekës dhe emocionues i kësaj zemre të madhe të shqiptarëve në vështirësi, për njëri tjetrin.

Faleminderit !

11 2

10

4 11

1 19

3 10

4 9