Banorët e prekur nga tërmeti akuza me fakte ndaj Dakos: Jepte leje abuzive, shiste betonin e tij! Prokuroria asnjë hetim

Teksa 9 persona, shumica ish-zyrtarë në nivele drejtorësh e specialistësh, qëndrojnë pas hekurave si përgjegjës për pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëntorit me 23 jetë të humbura në Durrës, mbi kryebashkiakun që për 12 vite drejtoi qytetin, Vangjush Dako, nuk rëndon asnjë akuzë.

Prokuroria dhe policia nuk kanë çelur asnjë hetim ish-kryebashkiakun socialist, i cili për 3 mandate dha leje të pafundme ndërtimi për pallate që tërmeti i shkatërroi.

Banorët e Durrësit e drejtojnë gishtin te njeriu që kishin në krye të bashkisë dhe e bëjnë atë përgjegjësin kryesor të asaj që janë duke përjetuar, raporton Balkanëeb.

Dëmtimet që la pas tërmeti në pallatin 13 katësh, në lagjen 17 të Durrësit, janë mëse të dukshme, muret e jashtme dhe të brendshme përfunduan në rrugë. Leja për pallatin që tashmë është i pabanueshëm është lëshuar në vitin 2009, kohë kur bashkia drejtohej nga Dako.

Banorët kanë jetuar në një pallat, ku tërmeti iu tregoi se shkeljet ishin bërë me të dyja këmbët.

Leje ndërtimi të pazbardhura, pallate pa struktura antisizmike, themele të dobëta, kolona pa sasinë e mjaftueshme të hekurit, punime të kryera pa asnjë mbikëqyrje nga pushteti lokal. Këto janë abuzimet që tërmeti i nxori në pah të bëra kur Dako drejtonte Bashkinë e në të njëjtën kohë vëllai i tij zotëronte kompaninë e betonit, 3D, dhe ishte një ndër furnizuesit kryesor të ndërtuesve në Durrës.

Leja për pallatin 13 katësh është dhënë për 10 kate dhe një papafingo, por ndërtesa u ngrit me 13 kate. Ndërtimi i 3 kateve shtese, të cilët nuk dihet nëse ishin me leje, ishte fundosëse për pallatin, i cili nuk mundi ta mbante peshën gjatë lëkundjeve.

Pas 3 mandateve që firmosi leje të pafundme ndërtimi në Durrës, ish-kryebeashkiaku Vangjush Dako sot fshihet dhe hesht për pasojat tragjike dhe shkatërrimin e qindra pallateve.

Realitetet janë të ndryshme dhe aspak të ngjashme në pak metra në lagjet e Durrësit, me pallate të shkatërruara, të cilat gjatë viteve të drejtimit të Dakos kanë abuzuar me lejet dhe cilësinë e ndërtimit, dhe nga ana tjetër pallate që nuk pësuan asnjë dëmtim të strukturës, gjatë tërmetit të 26 nëntorit. /BalkanWeb