Banorët e Ishmit denoncojnë jo vetëm braktisjen nga shteti, por edhe gjobitjen pse rindërtojnë shtëpitë

Përfaqësuesi i PD, Luan Baçi, takoi disa banorë në fshatin Shetaj të Ishmit, të cilët denoncojnë jo vetëm braktisjen nga shteti, por edhe aktet arbitrare me gjobitje për rindërtimin e shtëpive.

Ismet Shetaj denoncoi inspektorin e INUK-ut të Durrësit, Ardit Halili, i cili e gjobiti me 5 milionë lekë pas punimeve për rindërtimin e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti. “Shtëpinë po e rregulloj me të ardhurat e mia. Askush s’më ka ndihmuar. Po punoj me fjalën e Edi Ramës se kush ka lekë ta ndërtojë vetë shtëpinë, por tani po na vë gjoba”, u shpreh i revoltuar banori i Ishmit.

Një tjetër dëshmi nxjerr në pah kaosin e autoriteteve për vlerësimin e banesave, duke mos u dhënë siguri njerëzve.

Zejdi Kaculi nga fshati Ishëm i tha ish deputetit Luan Baçi se shtëpia e tij ishte vlerësuar 3 herë që pas 21 shtatorit. “Në tërmetin e parë inxhinierët thanë se është i pabanueshëm. Në tërmetin e dytë thanë është e pabanueshme. Kur erdhën një grup tjetër na thanë: Kjo është vetëm për çati. U thashë “banoni ju këtu se e rregulloj unë çatinë. Kjo nuk është e banueshme. Këtu jetojnë njerëz, jo gjëja e gjallë”, u shpreh ai i revoltuar.