SHBA, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor nuk janë të jashtëligjshme

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë qëndrimin e tyre për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, duke hedhur poshtë mendimin juridik të Departamentit të Shtetit të vitit 1978 se vendbanimet civile në territoret e pushtuara palestineze janë “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”. Njoftimi është një nga lëvizjet më të fundit të administratës së Presidentit Trump që dobësojnë pretendimet palestineze për shtetësi.

Komuniteti ndërkombëtar përgjithësisht e konsideron ndërtimin e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara Palestineze si të paligjshëm dhe në kundërshtim me nenin e Katërt të Konventës së Gjenevës që nuk lejon fuqinë pushtuese të transferojë popullsinë e vet në territorin që pushton. Izraeli pretendon se nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar sepse qytetarët izraelitë nuk janë transferuar në këto vendbanime.

Sekretari Pompeo tha se administratat amerikane kanë ndryshuar qëndrimin e tyre gjatë dekadave, dhe se administrata e Presidentit Trump tani po shkëputet nga qasja e administratës së ish-Pesidentit Obama.

“Pas një studimi me kujdes të të gjitha anëve të debatit juridik, kjo administratë pajtohet me Presidentin Reagan. Krijimi i vendbanimeve civile izraelite në Bregun Perëndimor nuk është, në vetvete, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.”

Deri më tani, politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara bazohej në një opinion juridik të lëshuar nga Departamenti i Shtetit në vitin 1978, i cili thoshte se ndërtimi i vendbanimeve izraelite në territoret palestineze ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Asnjë president amerikan nuk e ka kthyer mbrapsht këtë politikë, por të gjithë kanë shmangur përdorimin e fjalës “të paligjshme” në lidhje me vendbanimet, duke preferuar t’i përshkruanin ato si një pengesë të madhe për paqen në Lindjen e Mesme. Sekretari Pompeo tha se konsiderimi i ndërtimit të vendbanimeve civile, si veprim në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare nuk ka avancuar kauzën e paqes.

“E vërteta është se kurrë nuk do të ketë një zgjidhje gjyqësore për konfliktin, dhe argumentet se kush ka të drejtë në bazë të ligjit ndërkombëtar nuk do të sjellin paqe. Ky është një problem politik i ndërlikuar që mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave mes Izraelitëve dhe palestinezëve. Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të përkushtuara për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve të paqes, dhe unë do të bëj gjithçka mundem për të ndihmuar këtë kauzë.”

Udhëheqësit palestinezë kanë refuzuar çdo ndërmjetësim amerikan pasi Presidenti Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm. Ata i shohin politikat e Presidentit Trump për Lindjen e Mesme si të njëanshme dhe në favor të Izraelit.

Kandidati demokrat për president, Bernie Sanders në një postim në Twitter ka theksuar se vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara janë të paligjshme dhe se Presidenti amerikan po minon diplomacinë, duke i bërë lëshime bazës së tij ekstremiste.

Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë, duke përsëritur se të gjitha vendbanimet në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Jeruzalemin Lindor, janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe i bëri thirrje Izraelit që t’i japë fund të gjitha përpjekjeve për ndërtimin e vendbanimeve, në përputhje me detyrimet e tij si një fuqi pushtuese.