Referendumi/ Paralajmërimi i Metës: Nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur sërish sot për idenë e tij lidhur me zhvillimin e një referendumi kombëtar për Kushtetutën e re. Kreu i shtetit thotë se ditën e hënë do të propozojë hapat konkretë lidhur me këtë çështje dhe lidhur me mënyrën e organizimit të referendumit popullor.

“Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve. Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet? Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin”, shprehet Meta përmes një postimi në rrjetet sociale.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë!
Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:

Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!
Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!

Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.

Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?

Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!